Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë

schedule22:05 - 8 Nëntor, 2017

schedule 22:05 - 8 Nëntor, 2017

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën ka arritur një marrëveshje parazgjedhore me partinë Aleanca Kosova e Re përpara zhvillimit të balotazhit. Kjo lëvizje është konsideruar nga LDK, si tentativë për të shmangur humbjen e thellë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca Kosova e Re kanë arritur një marrëveshje koalicioni parazgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Prishtinë që zhvillohet me 19 nëntor. Për të marrë drejtimin e qytetit më të rëndësishëm të Kosovës, kryetari aktual Shpend Ahmeti garon kundër kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi. Akordi është prezantuar në një konferencë për media nga kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, dhe Selim Pacolli nga AKR. Në marrëveshjen me 10 pika, janë bërë bashkë programet e të dyja subjekteve politike. Në document vërehet se nuk janë ndarë postet mes të dyja partive.
Ndërkohë, i menjëhershme ishte dhe reagimi i LDK-së. Përmes një komunikate, kjo parti vlerëson se kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Shpend Ahmeti, po kërkon shpëtim nga koalicionet e biznesit në dëm të interesave të qytetarëve të Prishtinës. “Shpend Ahmeti dhe partia e tij Vetëvendosje, ndodhen në panik për shkak të rritjes së fuqishme të përkrahjes për kandidatin e LDK-së, Arban Abrashi, i cili sipas të gjitha sondazheve do të zgjidhet kryetar i Komunës së Prishtinës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Për balotazhin e zgjedhjeve lokale që mbahet me 19 nëntor, qytetarët do të votojnë për 19 komuna. Gara më interesante, sipas analistëve politikë, pritet të zhvillohet në komunat më të mëdha, si Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Ferizaj e Prizreni./abcnews.al