Rama viziton një kompleks shpendësh dhe një fermë fruta-perimesh

schedule16:30 / 16/07/2019

Produktet bujqësore shqiptare po eksportohen gjithnjë e më tepër në tregjet europiane. Në shumë ferma kjo është mundësuar falë mbështetjes së këtij sektori të ekonomisë nga ana e qeverisë. Kryeministri vizitoi dy prej tyre, një fermë fruta-perimesh dhe një kompleks shpendësh në Fushë Krujë.

Ky kompleks shpendësh në Fushe Krujë nga një biznes që fitonte sa për të mbajtur familjen është kthyer në një ndër furnitorët e restoranteve të zonave përreth.  Investimi në teknologji e ka ndihmuar të shtojë kapacitet prodhuese. Qeveria e ka mbështetur me 5.1 milionë leke ndërsa kryeministri Edi Rama shkoi për ta vizituar.

Për shefin e qeverisë ky është një tjetër shembull se si skema kombëtare ndihmon njerëzit e zakonshëm të ngrenë biznesin e tyre dhe të jenë të suksesshëm.

“Duam t’i tregojmë këto shembuj sepse duam që njerëzit t’i shohin që këto janë gjëra që janë reale, të mundshme, që janë për njerëz të zakonshëm, se ju s’keni pasur as miq as parti, as politikë, asgjë, por keni pasur vetëm punën”.

Pas vizitës në kompleksin e shpendëve, shefi i qeverisë u ndal në një ndër fermat më të mëdha të fruta-perimeve po në këtë zonë. Kompania së fundmi ka përfituar nga Programi i Bujqësisë për Zhvillimin Rural sistemin vaditës me ujitje me pika, si dhe ndërtimin e një sere të re 1 Ha.

“Kompania është mbështetur, jo vetëm me ndërtimin e serës nga fillimi, është mbështetur edhe me certifikimin Global G.A.P., si dhe me gjithë instalimin në sistemin e ujitjes për fermën e pemëtores. Certifikimi Global G.A.P. i ka dhënë mundësinë që ferma të ketë mundësinë t’i eksportojë produktet jashtë vendit, nuk e ka poseduar më parë”.

Falë këtij certifikimi produktet bujqësore të prodhuara në këtë fermë arrijnë të eksportohen jo vetëm në vendet e rajonit, por edhe Europë./ABC News Albania 24/7

schedule16:30 / 16/07/2019