Rama: Të bashkëfinancojmë me NATO-n bazën detare në Porto Romano, i siguron Aleancës akses të shpejtë në këtë pjesë të Evropës

schedule12:19 - 22 Nëntor, 2023

schedule 12:19 - 22 Nëntor, 2023

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shkup, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me Presidentin e Kroacisë, Kryeministrin e Malit të Zi dhe Kryeministrin e Sllovenisë.

Rama u shpreh se duhet të zbatohet sa më shpejt kërkesa e Shqipërisë për bashkëfinancim me NATO-n, për bazën e re detare në Porto Romano.

Sipas kreut të qeverisë, NATO do të sigurojë akses të shpejtë në këtë pjesë të Evropës.

“Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj edhe kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-S në Porto Romano të procedohet sa më shpejt sepse ne besojmë shumë që çdo gjë që ndodh hap pas hapi, e përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë, jo thjeshtë për Shqipërinë, as thjeshtë për krejt rajonin tonë, por edhe për vete NATO-n, e cila do të fitojë një tjetër akses të shpejtë në këtë anë të Europës, për çdo rast dhe për qëllimet strategjike të mbrojtjes së përbashkët.

Edhe njëherë faleminderit i dashur Dimitër, faleminderit i dashur Jens për këtë mundësi që të ndajmë së bashku këto shqetësime, ndërkohë që Shqipëria ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024, edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2 %, siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për të gjitha vendet anëtare dhe ne do të vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar dhe shumë të përkushtuar për të forcuar kapacitetet tona, për të rritur efiçencën e forcave tona të armatosura dhe njëkohësisht mbetemi në frontin e vendeve të NATO-s një anëtar i përgjegjshëm dhe i palëkundur në të gjitha sfidat e përbashkëta.”, theksoi Rama ndër të tjera gjatë fjalës së tij./abcnews.al