Rama sulmon opozitën: Fshihen në popull për t’i shpëtuar drejtësisë

schedule19:54 - 26 Shkurt, 2019

schedule 19:54 - 26 Shkurt, 2019

Para nisjes së protestës, kryeministri Edi Rama deklaroi nga Lushnja se opozitarët nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë duke u fshehur në popull. Në takimin për “Bashkinë që Duam” në Divjakë, kryetari i qeverisë ftoi demokratët t’i bashkohen mazhorancës socialiste.

Nuk i ndahen as në Lushnje. Por nuk e shqetësojnë protestat e opozitës as në rrugë e as para parlamentit. Madje ka krijuar bindjen se shqiptarët nuk kanë humbur asgjë nga mandatet e djegura të feputetëve të djathtë. Këtë mendim ua komunikon edhe lushnjarëve.

“Është koha që të bëhemi bashkë dhe të mbrojmë çka kemi ndërtuar, jo për qeverinë. Qeverisë ata nuk kanë çfarë i bëjnë fare. Çfarë do i bëjnë qeverisë? Do i bien me kokë mureve?”

I kërkon të mos merakosen se kanë qeverinë e tij në krah që nuk ndërmend të tërhiqet.

“Nga çfarë mund të tërhiqemi ne? Nga kontrata që kemi me ju?! Nga kontrata që kemi me shumicën e shqiptarëve që na e dhanë votën për të qeverisur të vetëm, pikërisht se erdhi dita që të qeverisim me njerëzit dhe jo me partitë që pushtetin e njerëzve e kthyen në një tepsi të madhe? Ne nuk mund të tërhiqemi nga ky detyrim!”.

I përsërit atyre që nuk i konsideron më të denjë për të debatuar, se nuk mund të fshihen mes njerëzve për ti shpëtuar drejtësisë.

“ Por kjo s’ka për të ndodhur”.

Teksa hedh sytë drejt të ardhsmes sheh veten aty dhe mazhorancën socialiste. Kjo është zgjedhja e duhur për shqiptarët  dhe kjo është ajo që duhet të ndodhë sipas kryeministrit Rama.

“Me ata ka vetëm të shkuar, kurse ne dhe ju jemi e vetmja fuqi e bashkuar që mund të sjellë të ardhmen”.

Votën e kërkon jo thjesht për të qenë fituesi, por për të qeverisur me fuqi të plotë edhe brenda parlamentit.

“Kush shkon pas tyre shkon pas të mbyturit që të mbyt. Kaq”.

I vetmi demokrat i zgjuar i doli nga Lushnja.

“Ndodhi si ndodhi, unë nuk e di si ndodhi, por i vetmi me dy pare mend në kokë na doli Myslym Murrizi. Sidoqoftë do kisha dashur ta kisha thënë unë, jo ai, atë shprehjen “u nisën për të rrëzuar Edi Ramën dhe rrëzuan mua”, se në fakt ky ishte revolucioni”.

U bëri të buzëqeshin Lushnjarët jo vetëm me këtë koment.

“Lulit i shkoni pas?

Jo, ata i shkojnë mbrapa Lulit, se Luli i shkon mbrapa Monikës dhe këtu në Lushnje, sidomos, është vend i duhur për të thënë, ej, Monika që ngre sytë nga qielli thotë o Zot, mbroji shqiptarët nga blerja e votës, por kemi provën që Zoti nuk fut hundët në zgjedhje, se po të merrej me zgjedhje Zoti, Monikës do i kishte rënë rrufeja, larg qoftë”.

Thotë se nuk do të debatojnë me palën tjetër se nuk ia vlen por deklaratën e kryedemokratit Basha se po përgatitet arrestimi i kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako nuk e kaloi në heshtje.

“Del Luli thotë po përgatitet arrestimi i filanit. Mos”.

Duke e mbyllur vetë takimin për bashkinë që duam, kërkoi mirëkuptimin e banorëve të Lushnjës për tu ritakuar një ditë tjetër.

“Do të doja shumë që të vazhdonim sot si në rastet e tjera, por siç e dini, siç mund ta keni marrë vesh, kemi parlament sot, sepse ne nuk duam konflikt. Ne nuk duam përballje nga ato përballje primitive që kanë ata në kokë dhe do vijmë ku do mund të flasim  më gjatë, jua kam borxh një vazhdim të bashkëbisedimit”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!