Rama shkarkon kryebashkiakun e Vaut të Dejës

schedule13:10 - 28 Qershor, 2019

schedule 13:10 - 28 Qershor, 2019

Kryeministri Edi Rama shkarkoi kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hila, duke e bërë përgjegjës për djegien e materialeve zgjedhore në Bushat. Kryeministri paralajmëroi  të gjithë kryebashkiakëve opozitarë që të mos guxojnë të prekin materialet zgjedhore apo zonat e votimit, ndryshe do të kenë të njëjtin fat.

Me propozim të Ministrit të Brendshëm, kryeministri Rama ka firmosur shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut  të Dejës, demokratin Zef Hila.

“Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë”.

Zef Hila do ta lërë zyrën sot, në javët e fundit të mandatit  të tij të 5-të. E vetmja që mund ta kthejë atë në detyrë, është Gjykata Kushtetuese.

Pas ngjarjeve në Vaun e Dejës, ku funksionarë të bashkisë dhe familjarë të kryetarit demokrat u përfshinë sipas policisë në djegien e materialeve zgjedhore, Kryeministri Rama paralajmëron të tjerët.

“Çdo kryebashkiak që merret me brava shkollash të caktuara si qendra votimi, në përpjekjen harbute dhe qesharake, për të penguar zgjedhjet me dyer të mbyllura me çelësa marrëzie, bën mirë të lexojë Kodin Penal për krimet zgjedhore e të heqë dorë sa pa rënë në dorën e drejtësisë”.

Kreu i qeverisë ju kujton kryebashkiakëve opozitarë se janë jashtë garës elektorale për faj të drejtuesve të partive të tyre.

“Askush tjetër përveç katër të marrëve që i udhëheqin, s’u ka faj kryebashkiakëve të opozitës për largimin nga gara zgjedhore, ndaj ata le të merren me hapjen e dyerve të partive përkatëse, jo të marrin në qafë veten e punonjësit e tyre, duke u kthyer në të pandehur për dyert e QV”.

Edhe më herët, kryeministri Rama ka pohuar se Partia Socialiste do ta kishte të vështirë t’i mundte disa kryebashkiakë aktualë të opozitës, nëse do të kishin marrë pjesë në zgjedhje.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!