Rama: Opozita zgjodhi rrugën e baltës e tymit

schedule13:51 - 18 Dhjetor, 2017

schedule 13:51 - 18 Dhjetor, 2017

Zgjedhjen e Prokurores së re të Përgjithshme të Përkohshme, Kryeministri Edi Rama e quajti legjitime dhe të konfirmuar nga misionet e drejtësisë së SHBA dhe Bashkimit Europian.  Ndërsa reagimin e opozites, e quajti përpjekje të dëshpëruar për bllokimin e reformës në drejtësi.

 

Kryeministri Edi Rama u kërkoi falje të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për shfaqjet e ditës së sotme gjatë zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme.

Dua t’u kërkoj sot ndjesë të gjithë shqiptarëve pa dallim, por edhe partnerëve ndërkombëtarë për shfaqjen e sotme. Shfaqjen e sotme e dha opozita, por faturën e kësaj e merr përsëri e gjithë Shqipëria, e cila është më afër se kurrë çeljes së negociatave me BE-në dhe nuk i meriton as baltën as tymin një opozite që kruhet nga frika e Reformës në Drejtësi.

Rama tha se kishte bërë sa mundur për ta sjellë opozitën në tryezën e dialogut dhe se nuk ishte zgjedhaj e mazhorancës zgjedhja e kryeprokurores së re në mënyrë të njëanshme.

Zgjedhja e kryeprokurores ishte një zgjedhje tërësisht legjitime. Jemi në një moment shumë të rëndësishëm në Shqipëri, presim çeljen e negociatave për anëtarësim, çdo shfaqje si kjo e sotmja është një pikë e humbur.

Më herët të hënën mazhoranca zgjodhi kryeprokurore të përkohshme, Arta Makrun, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të opozitës me protesta brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit.

Protestues të shumtë u përplasën me policinë jashtë Kuvendit, ndërsa disa deputetë opozitarë hodhën tymuese edhe brenda sallës së parlamentit.

Në një fjalim para protestueseve, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se opozita nuk do ta pranojë duarkryq puçin kushtetues dhe se ky është vetëm fillimi i kryengritjes popullore në mbrojtje të saj./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!