“Rama rol konstruktiv për veriun”/ Lajçak mbështet propozimin e kryeministrit për takimin Kurti, Vuçiç, SHBA, BE

schedule18:37 - 28 Qershor, 2023

schedule 18:37 - 28 Qershor, 2023

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi në një intervistë për Euronews Serbia se kryeministrit shqiptar Edi Rama luan një rol aktiv sa i përket zgjidhjes së krizës dhe situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Emisari i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor deklaroi se Kreu i qeverisë shqiptare ka propozuar në Bruksel tek Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të jashtme Josep Borrell edhe mundësinë e mbajtjes së një konference në të cilën do të jenë të pranishëm liderët e Beogradit, Prishtinës, BE-së dhe SHBA-ve, dhe sipas Lajçak, zëri i kryeministrit Shqiptar është një zë autoritar që duhet dëgjuar.

“Më duhet të them se Edi Rama luan një rol aktiv dhe konstruktiv në të gjithë krizën, sepse është një njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritar për t’u dëgjuar. Unë jam në kontakt të rregullt me të dhe e di se sa kohë dhe përkushtim ai ka investuar për të gjetur një zgjidhje. Ky është propozimi me të cilin doli. Jemi në kontakt të përditshëm me SHBA-në dhe kryeqytetet kryesore europiane”, theksoi ai.

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi foli edhe për draftin e hartuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të cilin kreu i qeverisë Shqiptare ia dorëzoi presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman. Lajçak deklaroi se në propozimin e kreut të qeverisë shqiptare ka elementë cilësor që mund të përdoren ndërsa shtoi se është një draft serioz dhe i punuar mjaft mirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!