Një dië pasi Zëri i Amerikës transmetoi një kronikë me banorë të fshatrave, ku po ndërtohen inceneratorët për plehrat kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social Facebook.
“Një fakt shembullor kundër hirit të syve”, e titullon kryeministri postimin, të cilit i ka bashkangjitur një video të projektit që po realizohet për mbetjet në Sharrë.
“Duke ju garantuar se kështu do ta zhbëjmë mallkimin e plehrave jo vetëm në Tiranë, Elbasan e Fier, po edhe së shpejti në Durrës e më tej në gjithë Shqipërinë, ju ftoj të gjithëve të mos dëgjoni zhurmën e kënetave politike e mediatike, ku gëlojnë njëmijë e një të zezat kundër këtyre projekteve kaq të dobishme për mjedisin e shëndetin, po thjesht t’u besoni syve tuaj dhe fakteve kokëforta të dobisë së jashtëzakonshme të këtyre nismave, për Shqipërinë e pastër Europiane që duam për fëmijët tanë”, shkruan kryeministri./abcnews.al