Pas hetimeve të thella, SPAK goditi grupin e strukturuar kriminal të Inez Hajrullës me bazë në Vlorë, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe kryerjen e krimeve të rënda. Në këtë grup ishin të përfshirë edhe efektive policie.
Nga hetimet ka rezultuar se Rezart Kuçi, me detyrë oficer policie, dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal, duke: siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike.
Në kohën kur janë kryer veprat penale, SPAK thotë se Kuçi ka qenë shef për hetimin e krimeve në Vlorë, dhe ka lëvizur gjatë kohës në disa detyra të tjera në Lushnje, shef i krimeve në komisariatin numër 1 në Tiranë si dhe së fundi në Kukës.
Sipas SPAK, polici ka nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet e policisë, ka ndërhyrë në sistemin TIMS si dhe ka fshirë të dhëna në interes të hetimit
- nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore;
- ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin;
- përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal;
- përdorur komunikim të koduar në aplikacionin SKYECC.
Ky operacion është realizuar falë një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar mes SPAK, Europol, Eurojust, DEA dhe agjencive ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian. Prokuroria e Posaçme falenderon hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për mbështetjen gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale si dhe për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.


