Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga Manastiri i Kryengjëjve në Derviçan, duke vënë në fokus punën për restaurimin dhe rilindjen e këtij objekti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore në Dropull.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e cilëson manastirin një “thesar të çmuar të Dropullit”, duke theksuar rëndësinë e tij shpirtërore dhe kulturore.
“Me punën për rilindjen e Manastirit të Kryengjëjve në Derviçan, një thesar i çmuar i Dropullit dhe një ndër 15 manastiret që dëshmojnë pasurinë e rrallë shpirtërore e kulturore të Qarkut të Gjirokastrës, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan kryeministri.
Manastiri i Kryengjëjve është pjesë e trashëgimisë së pasur fetare dhe kulturore të zonës së Dropullit, ndërsa ndërhyrjet për restaurimin e tij synojnë ruajtjen dhe rijetëzimin e vlerave historike e arkitekturore të këtij monumenti.
Pamjet e publikuara nga kryeministri sjellin në vëmendje një prej monumenteve të trashëgimisë së Qarkut të Gjirokastrës, në kuadër të përpjekjeve për rehabilitimin e objekteve me rëndësi historike, kulturore dhe fetare.

