Rama: Protestuesit janë rrogëtarë të PD-së që duan rrëmujë politike

schedule13:01 - 16 Mars, 2019

schedule 13:01 - 16 Mars, 2019

Murin mund ta shembësh por qeverinë jo. Këtë mesazh dërgon nga Berati kryetari i qeverisë Edi Rama ndërkohë që opozita kishte rrethuar Kryeministrinë.

“Qeveria nuk preket, se nuk është një mur që i bie dhe shemb, është një mandat besimi i shumicës së popullit dhe ndryshon vetëm kur i vjen radha popullit që të gjykojë, ndërkohë që preket ekonomia e kujtdo”.

Nuk prekin vetëm ekonominë pasojat e protestave por edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian përsërit Kryeministri Rama.

“U japin argument atyre që nuk duan, që thonë se ju jeni akoma në epokën e gurit politik se nuk keni mësuar akoma që mandati i popullit nuk digjet nuk e njeh historia. Si djeg mandatin ti, ku shkon? Kush nuk na do thotë, shkoni bëni shtazhin e demokracisë, pastaj pretendoni të futeni në shtëpinë tonë. Është si të shkosh tjetrit në shtëpi dhe ti thuash zakoni im është të ha me dorë dhe jo lugë e pirun. Por do të kalojë dhe nuk do të kalojë pa dëm përsa i përket ekonomisë”.

Gishtin e fajit e drejton mbi opozitën dhe  rrogëtarët që ndjekin pas.

“Ndër ata që shkojnë në protesta të organizuara për t’u materializuar në dhunë, një pjesë janë rrogëtarë, të cilët marrin një rrogë si punonjës të administratave lokale politike. Dhe si të thuash janë punëtorë të ndërmarrjes parti që i thërret në një rrëmujë politike dhe mbase për ta llogaria është më e thjeshtë, marrim rrogën dhe bëjmë këtë punë, po jo për këdo tjetër, jo”.

Të gjitha këto ua bëri të ditur 200 operatorëve turistikë që kishte përballë në Berat. Duke u ndalur tek projektet që parashikon ti realizojë me kandidatin e Partisë Socialiste për kryebashkiak të Beratit Ervin Demo, kryeministri Rama tha se po punojnë për transformimin e shtëpive tradicionale në bujtina,

“Po diskutonim me Ervinin, që bashkia duhet të zerojë taksën e pronës shtëpive tradicionale dhe t’ua rrisë atyre që mbahen mbyllur dhe peng. Kjo është lufta e padijes, injorancës dhe errësirës me dijen dhe dritën. Berati dje nuk kishte shpresë, sot ka, kuptohet jo për ata, që lozin e kuvendojë se nga gratë rrojnë, atyre nuk ke çfarë u bën. Kombinimi, i zgjimit, që do të jetë objektiv i mandatit tjetër do të jetë objektiv”.

Në mandatin e ardhshëm ka në plan të sjellë shembullin e Japonisë.

“Pasi të ketë dorëzuar doktoresha ti kemi marrë ne dhe fondin shqiptar të zhvillimit për këto shtëpi do të bëjë që në mandatin e ardhshëm të kemi një mandat edhe më të madh. Në katër vitet e ardhshme duhet të shkojmë në 300 mijë vizitorë për t’u futur në një fuqi tjetër. Kemi edhe një debat të fundit, në Korçë kemi vendosur të ndërtojmë muzeun kombëtar të rakisë. Të gjitha rakitë që prodhohen në Shqipëri të mbledhura në një muze, ku njerëzit do të vijnë të shohin, dhe ti pinë. Do të jetë një bum i madh i turizmit. Jemi duke diskutuar për të ndërtuar një muze të verës në Berat, sikur është muzeu i çajit në Japoni, kështu të jetë edhe kjo histori”.  

Në fund ia la të qetë të ngrohen nën diell.

“Nuk po iu mbaj më gjatë, pasi është edhe një ditë e bukur. Mua më keni në TV gjatë gjithë kohës dhe në frigorifer kur është nevoja”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!