Rama promovon mbledhjen e fondeve për të prekurit nga tërmeti në RAI 1

schedule23:53 - 4 Dhjetor, 2019

schedule 23:53 - 4 Dhjetor, 2019

Kryeministri Edi Rama është i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin e Bruno Vespës “Porta a Porta”, në përpjekje edhe për të siguruar më shumë kontribute për vendin, pas katastrofës që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

Në intervistën e dhënë për “Porta a Porta” në Rai 1, kryeministri Rama tha se, sapo kishte marrë pjesë në samitin e NATO-s në Londër, ku i kishte kërkuar presidentit Amerikan Donald Trump, dhe të tjerëve, ndihma për rimëkëmbjen e Shqipërisë nga tërmeti.

“Nëse është e vërtetë ajo thënia që, ajo që nuk të vret, të bën më të fortë, ne duam ta bëjmë një fakt të dukshëm. Ne jemi duke punuar në rrafshin e rindërtimit edhe në lidhje me të bukurën. Unë vij nga samiti i NATO-s, ku i kam bërë thirrje të gjitha vendeve, që të japin një kontribut”, tha Rama.

Më tej Kryeministri tha se kishte propozuar për tu mbajtur një konferencë donatorësh ku ka patur sipas tij një frymë inkurajuese nga të gjithë.

“U bëra një thirrje të gjitha vendeve përmes një konference donatorësh dhe ka një frymë inkurajuese nga të gjithë sepse nuk është e lehtë që kjo situatë të përballohet vetëm. Shpresoj që Europa dhe bota nuk do na lënë vetëm, shpresoj që edhe politikanët tuaj apo të tjerët të kishin zemrën e zjarrfikësve tuaj”, tha Kryeministri.

Kryeministri Rama falënderoi kryeministrin italian Conte i cili u përgjigj i pari thirrjes për ndihmë në situatën tragjike që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!