Rama pas takimit me Thaçin në Hagë: U çmalla, ishte në top formë, lufta çlirimtare e Kosovës s’rishkruhet

schedule14:30 - 10 Maj, 2022

schedule 14:30 - 10 Maj, 2022

Kryeministri Edi Rama ka folur pasi vizitoi ish-Presidentin Hashim Thaçi në burgun e Hagës, Haaglenden, ku ai ndodhet prej dhjetorit të vitit 2020.

Teksa e cilësoi vizitën çmallje e nevojshme, Rama tha se Thaçi është në gjendje të mirë dhe i bindur për pafajësi.

“Ishte një çmallje e nevojshme. Presidentin Thaçi e gjeta në top formë, i bindur mbase dhe më shumë se kur e kam takuar më parë se të vinte këtu, se kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht përpara drejtësisë, pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëheqësve të UÇK-së. Nuk ka shumë për të thënë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh i bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet.

“Natyrisht që të gjithë në jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, e gjakut të dhënë dhe natyrisht e të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej në Kosovën e lirë dhe sovrane“, shton kryeministri.

/abcnews.al