Pritshmërinë për hyrjen në parlament nuk e kanë ndryshuar. Ndryshimi që propozojnë është formimi i një opozitë re dhe në seancën parlamentare të së mërkurës këtë ide e artikulojnë më qartë se çdo herë tjetër.
“Ato dy siglat ne do t’i çojmë për skrap”.
Ata që pret t’i zëvendësojnë i ka në sallën e parlamentit. Për t’i treguar se i sheh si opozitë e vërtetë u flet me të njëjtën gjuhë që përdor për ish deputetët që dogjën mandatet.
Rama: Ju jeni njësoj si ata, por jeni akoma në fazën e ambientimit, por pres që shumë shpjet edhe ju të jeni në lartësinë e pritshmërive të atyre që ju kanë futur në lista. Kryetari juaj, pavarësisht se zoti Murrizi e mohon, është kryetari i zotit Murrizi.
Murrizi: Është miku jot.
Rama: Është miku im? Por është kryetari jot! Duhet të ndaheni nga ata, jo kush është jashtë, kush është brenda.
Me ata që janë jashtë e kanë edhe një detyrë të fundit që duhet ta përfundojnë bashkë, reformën zgjedhore. Për gjithçka tjetër fton të bashkojnë kartonat opozitarët brenda parlamentit.
“Ne jemi njëra anë tjetër, e pangjitshme me ju, nuk ngjitemi dot, duhet të qahemi ne, se ata kanë një karrige që e kanë ata të lirë për ta përdorur. As nuk kanë ardhur të thonë si e duan atë reformë zgjedhore, ne do t’i presim aq sa pret puna. Nëse nga ana e KE, do të kuptojmë se ligji zgjedhor duhet kaluar përpara se të merret vendimi për çeljen e negociatave, ne do ta kalojmë këtu, dhe do ti bazohemi vetëm rekomandimeve të OSBE-ODIHR, do të jetë një vendim që nuk vlen në këto zgjedhje vendore, nuk mund të bëhet depolizimi. Do të votojmë vetëm kornizën e OSBE, ODIHR. Për ne është kantier i hapur reforma zgjedhore, dhe do t’i kthehemi përsëri për votën e emigrantëve. dhe me ju jemi gati të diskutojmë çdo gjë tjetër. Karrigia e tyre vlen vetëm për kaq, dhe është me afat. Ata mund të kenë shpresë që këtu do vinë nga qielli negociatorë e do na ulin në tavolinë e do na thonë hë tani djema si do e zgjidhni këtë punë”, tha Rama.
Ndryshe nga seancat e tjera parlamentare kryeministri Rama pranoi të debatonte me opozitën e re.
Ralf Gjoni: Ne zoti kryeministër ne nuk jemi njëlloj si ata. Njëlloj si ata jeni juve. Së bashku në një krevat keni qenë kur i keni bërë ato ndryshimet dhe masakrën e kodit zgjedhor të 2018-s dhe ndryshimet famëkeqe kushtetuese që na kanë sjellë këtu.
Edi Rama: Ralf për sa të përket ty, me ty kam një ndjenjë solidariteti se jemi të dy viktima të shoqatës për mbrojtjen nga boja. Ti pate fat se more bojë të bukur, bojë të kuqe, që për fat të keq është e vetmja shkencë që merr doktoresha e shkencave mikroskopike se thonë që filxhani shihet më mirë kur i hidhet pak e kuqe se ngrihen shejtanët lart.
Me këtë debat parlamentar kryeministri Edi Rama po bën atë që thotë : mbylljen e një kapitulli të vjetër e hapjen e një të riu, jo për mazhorancën por për opozitën.
“PS e ka mision historik sot të mbyllë këtë kapitull të gjatë zvarritjesh në histori jo po ulemi, jo po negociojmë, jo po të thërrasim këtë nuk ka më gjëra të tilla. Bëni mirë të ndaheni njëherë e mirë nga ata, jo thjesht kush është brenda, kush është jashtë, por t’i jepni Shqipërisë një mundësi tjetër që të ketë një zgjedhje tjetër”, theksoi Rama./abcnews.al