Rama: Nuk ka ndryshim në qeveri, zgjedhjet e tjera janë në 2021

schedule11:45 - 15 Korrik, 2019

schedule 11:45 - 15 Korrik, 2019

Kryeministri nuk do ta ndryshoje qeverinë e tij. Edi Rama ju tha gazetarëve në fund të mbledhjes së kryesisë socialiste, se ministrat e tij i kishin përmbushur detyrat. PS do të mbledhë të hënën Asamblenë Kombëtare për organizimin e brendshëm, teksa kryeministri përjashtoi mundësinë për zgjedhje të parakohshme.

Ministrat e Edi Ramës mund të shkojnë të qetë me pushime.

Kreu i qeverisë do të mbledhë Asamblenë e Partisë Socialiste të hënën e 22 korrikut, por jo për të bërë ndryshime në kabinet.

Socialistët do të nisin një proces riorganizimi të brendshëm, por jo për zgjedhje të parakohshme.

I pyetur për mundësinë për planet e tij për shkatërrimin e LSI-së, siç kishte deklaruar Ilir Meta, Edi Rama ka këtë përgjigje:

Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë, nuk ka nevojë për plane për të eliminuar opozitën, sepse opozita është në kapacitete të plota për t’u vetë eliminuar dhe siç e shikoni procesi i degradimit vazhdon në një rrugë që e kanë zgjedhur vetë. E rëndësishëm për ne është t’i qëndrojmë besnik të gjithëve edhe atyre që na votuan dhe atyre që nuk na votuan, pastaj këto historitë 7 herë 7 bëjnë 42, ja lemë opozitës”, tha kryeministri.

Bashkë me punën për shkarkimin e Metës, Edi Rama duket se ka menduar emrin e Presidentit të ri, por nuk është gati që planet e tij t’i bëjë publikë.

Me rikthimin nga pushimet, socialistët do të nisin zgjedhjet brenda  forumeve të partisë që ju ka mbaruar mandati.

Në këtë komunikim, Edi Rama nuk është gati të thotë nëse edhe ai vetë do t’i nënshtrohet procesit zgjedhor si kryetar partie./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!