Pas mbledhjes së qeverisë në Durrës, kryeministri Edi Rama njoftoi rritjen e pensioneve me 2.8 për qind nga data 1 korrik Rama tha se Shqipëria do kthehet në kantier ndërtimi sa i përket infrastrukturës rrugore. Sipas kryeministrit, po studiohet mundësia e një rruge me pagesë Tiranë-Durrës.
Në daljen e tij publike pas mbledhjes së qeverisë së zhvilluar këtë të martë në qytetin e Durrësit, kryeministri Edi Rama, njoftoi rritjen e pensioneve në 1 korrik.
“Kemi bërë një hap të vogël, por të ndjeshëm, ku kemi përfshirë 665 mijë pensionistë. Kemi rritur pensionet mbi inflacionin. Kemi vendosur 15 milionë Dollarë plus në atë paketën e pensioneve me 2.8%, duke nisur nga data 1 Korrik”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë bëri me dije një përditësim të listës së barnave të rimbursueshme.
Rama tha se në këtë mandat qeverisës Shqipëria do të jetë kantier ndërtimi sa i përket infrastrukturës rrugore. Mes tyre Rruga e Arbrit dhe rehabilitimi i superstradës Tiranë-Durrës.
Kryeministri përmendi studimin e mundësisë për vendosjen e një korridori rrugor me pagesë mes Tiranës e Durrësit.
Për Investimet në infrastrukturë si prioritet i qeverisë, kryeministri foli edhe në takimin e llogaridhënies me banorë të Durrësit. Rama tha se për shkak të këtyre politikave ka një ulje të faktuar të papunësisë, e turizmi në këtë periudhë është sektori që siguron punësim, e kërkon gadishmëri në infrastrukturë
Sipas kryeministrit, me shlyerjen e borxheve të trashëguara, tashmë janë mundësitë për shpenzime të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës në vend. E një hap domethënës është mbrojtja e mjedisit, që merr një zgjidhje drastike me ndalimin e përdorimit të qeseve plastike, duke mbrojtur kështu edhe ndotjen e lumenjve e territorit./abcnews.al