Rama: Nëse Prokuroria do të hetojë fshehjen e viktimave, askush nuk do ta pengojë

schedule18:37 - 21 Nëntor, 2020

schedule 18:37 - 21 Nëntor, 2020

Kryeministri Edi Rama, deklaroi se mjekët janë më të rrezikuarit në këtë situatë të vështirë pandemie dhe se nuk mund të mos vlerësohet kontributi i tyre.

Duke i konsideruar një papërgjeshmëri dhe çnjerëzore akuzat nga Partia Demokratike se po fshihen viktimat nga Covid-19, Rama theksoi se nëse Prokuroria do të përfshihet në këtë çështje, nuk do të pengohet.

Gjithashtu Rama i bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në shmangien e një mbyllje tjetër, duke theksuar se Shqipëria do ta kalojë edhe këtë dimër të vështirë.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

“Çfarë janë ata që humbasin jetën në spitalin Covid? Vota? Kush janë mjekët e vijës së zjarrin në luftën për jetë a vdekje? Anëtarët e Komitetit Nishani që u mblodhën për të zhdukur nga lista e deputetëve djalin e Fahriut?

Lexo edhe: “Fshehja e viktimave e fotot nga morgu”, Rama: Veprime jonjerëzore, si mund të bini kaq poshtë?

Mos vallë profesorët me bluza të bardha që prej vitesh firmosin çdo kartelë mjekësore, pacientëve që humbën jetën janë njësoj si akuzuesi i tyre që mohon edhe firmën e vet pasi financon fushatën e partisë me para që nuk dihet nga vijnë.

Apo ndoshta viktimat e Covidi-t mund të fshihen si u fshinë serveret e sigurisë Kryeministrisë të nesërmen e 21 janarit.
Karakteret e dobëta që dallohen kur akuzojnë pa asnjë provë janë në gjendje ta bëjnë atë për të cilën akuzojnë të tjerët. Nuk ka asnjë mundësi që qeveria të fshehë numrin e viktimave në spital, ashtu si nuk ka asnjë teori që të përcaktojë diagnozën e pacientëve. Diagnoza e pacientëve është përgjegjësi.

Është thjesht kulmimi i një serie rastesh të përsëritura që kjo opozitë ngre akuza shoqëruar më thirrje për Prokurorinë. Por që do të thirrej Prokuroria në kulmin e pandemisë, kjo e tejkalon nivelin e neverisë për politikën e këtij lloji.

Prokuroria e di vetë detyrën e saj, nëse do ta shohë të arsyeshme të përfshihet për të zbardhur një mori kriminale të kësaj marrëzie, askush nuk do ta pengojë. Por kjo duhet patjetër të mbahet shënim nga një gjykatës si një lëndim i patolerueshëm.

Ky episod i shëmtuar i luftës për pushtet nuk duhet harruar nga asnjë shqiptar, si një akt përçarje mes nesh, si një akt që nxit urrejtjen ndaj mjekëve tanë. Një akt turpërues për karakterin tonë si vend.

Ne do ta fitojmë këtë luftë, me mund të vazhdueshme, pa u lodhur dhe me durimin më të madh. Ju lutem të gjithëve të zbatoni rregullat, kontribuoni që të shmangim një mbyllje tjetër. Mos bini pre e frikës që duan t’ju kallin ne shpirt ata që ju duan mish për topin e tyre të luftës së verbër. Do ta kalojmë edhe këtë dimër të vështirë, do ta kalojë edhe Shqipëria këtë luftë që na zuri, por që do ta heqim me forcën e karakterit tonë”, tha më tej Rama.

/abcnews.al/