Nga Haga, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë thirrje për një tryezë të përbashkët politike për të diskutuar çështjet madhore me të cilat përballet vendi.
Në qëndrimin e tij, Thaçi propozon që Presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, duke e cilësuar këtë si një mënyrë për të shmangur krizat institucionale dhe për të garantuar një funksionim më të qëndrueshëm të institucioneve.
“Politika të ulet në tryezë mes zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogu me Serbinë, etj.
Kosova si vend ka një datë unike çlirimi, 20 qershorin 1999. Kjo datë shënon, pas 78 vitesh, largimin përfundimtar të policisë, ushtrisë dhe të gjithë aparatit pushtues serb. Por, çdo komunë duke filluar nga Prishtina, ka datën e veçantë të lirisë. Vetëm kur u larguan të gjitha trupat serbe nga territori i Kosovës, u nënshkrua marrëveshja mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-së për transformim në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ndërmjet 20-21 qershorit 1999″, theksoi ai./abcnews.al


