Sistemi i bashkëpunimit të shkollave me ndërmarrjet është çelësi i gjithë ndryshimit ka deklaruar kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në shkollën profesionale Pavarësia në Vlorë. Kreu i qeverisë shprehu bindjen se kërkesat e nxënësve do të jenë në rritje pasi të kuptojnë se kjo është një mundësi reale punësimi për ta në të ardhmen.
Një tjetër sfidë të qeverisë Kryeministri Edi Rama e ka përsëritur në Vlorë.
“Sistemi i bashkëpunimit me ndërmarrjet, i futjes së ndërmarrjeve në shkolla dhe i lidhjes së nxënësve me vendin e mundshëm të punës në ndërmarrje, është çelësi i gjithë ndryshimit. Tani problemi është të rrisim kapacitetin, edhe këtu, por dhe në gjithë qytetet e tjera”.
Ndodhet në shkollën profesionale Industriale “Pavarësia”, në Vlorë ku informohet për kërkesat në rritje të nxënësvenë këtë fushë të arsimit.
“Bizneset më në fund kanë ardhur, por duhet t’i ndryshonim ne shkollat. Kemi një listë me rreth 70 kompani e biznese, të cilat bashkëpunojnë çdo ditë me shkollat. Vetëm ne kemi një problem që është viti i dytë radhazi që ne nuk mundemi t’i plotësojmë me atë numër që kemi, megjithëse jemi shumë, nuk mund t’i plotësojmë kërkesat. Sot janë punësuar 3 nxënës që do mbarojnë shkollën pas një muaji, sepse nga ata që kanë mbaruar vjet, nuk kemi më.”
“Do ketë gjithmonë e më shumë kërkesa, sepse kanë filluar ta kuptojnë që kjo fushë do të ketë punësim real për shumë njerëz dhe prindërit sidomos kanë filluar të bëhen shumë të ndjeshëm. Plus që të kemi mundësi të rrisim kapacitetin për trajnime të atyre që janë në mosha jashtë shkollore dhe që faktikisht shumë herë nuk dinë të bëjnë gjë, pavarësisht se kanë dëshirë për punë dhe refuzohen nga ndërmarrjet.”
Aktualisht shkolla profesionale ka 700 nxënës në 5 profile të ndryshme. /abcnews.al