Shqipëria dhe Greqia janë drejt nënshkrimit të një partneriteti strategjik. Qëndrimi ka ardhur nga kryeministri Edi Rama gjatë një interviste me Ilir Babaramon. Sipas kryeministrit gjatë negociatave tre ditore në Korçë, mes ministrit të Jashtëm shqiptar Bushati dhe homologut të tij grek Kocias, janë diskutuar tema të nxehta, që nga ligji i Luftës, ai i pronave e të tjera, të cilat ende janë në tavolinë dhe po negociohen për të gjetur një zgjidhje përfundimtare, e cila do detajohet në dokumente që do marrin formë ligjore.
Rama ka konfirmuar se do takohet në pranverë me homologun e tij grek Cipras, për të nënshkruar një marrëveshje të partneritetit strategjik mes dy vendeve, ndërsa pas disa ditësh do takohet me të gjatë forumit ekonomik të Davosit, në Zvicër.
Duke komentuar marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç, kryeministri tha se porositësit e vrasjes së Ivanoviç nuk kanë shtetësi shqiptare.
Lidhur me akuzat e Moskës për paternalizëm të Tiranës për miratimin e ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni, Rama tha se ndihet krenar, kur akuzohet se mbron interesat e shqiptarëve.
Kryeministri u shpreh optimist edhe për hapjen e negociatave me BE duke theksuar se 2018-a do jetë viti i Shqipërisë.
Nuk do e riaktivizojmë ligjin për importin e mbetjeve, deri sa të dezintoksikojmë atë pjesë të opinionit publik, që është kundër./abcnews.al