Qeveria shqiptare vlerëson dy investime të rëndësishme që lançohen këtë vit si dy ndërhyrje strategjike në ekonominë tonë. Është fjala për ndërtimin e aeroportit të ri ndërkombëtar të Vlorës dhe investimi nga ana e kompanisë “Turkish Airlines” për të asistuar ngritjen e linjës sonë kombëtare ajrore.
Gjatë fjalës përshëndetëse në Asamblenë e Dhomës së Tregtisë shqiptaro-turke, kryeministri Rama tha se këto dy investime do të jenë gjithashtu mjaft simbolike për cilësinë e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Turqi.
Shefi i qeverisë theksoi së Aeroporti i Vlorës do të jetë një stimul shumë i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë dhe të punësimit, si dhe për fuqizimin e industrisë sonë të turizmit.
Ndërsa linja e re ajrore kombëtare do të jetë më në fund, sipas tij, një mundësi e re dhe e shumëpritur për të gjithë shqiptarët. Rama theksoi para përfaqësuesve të biznesit turk mundësitë që ofron Shqipëria për rritjen e investimeve të huaja direkte./abcnews.al