Rama letër të 4-t Bashës: Letrat e mia nuk janë për “m’ka çu nana me la gojën”

schedule11:57 - 25 Maj, 2019

schedule 11:57 - 25 Maj, 2019

Pak orë para protestës kombëtare, kryeministri Edi Rama iu drejtua për të katërtën herë kryedemokratit Lulzim Basha, përmes një letre publike. Rama i drejtohet duke i thënë Bashës, edhe armiqtë dialogojnë, por nga ana tjetër e paralajmëron se nuk do të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit.

Në prag të protestës së paralajmeruar nga opozita kryeministri Edi Rama i shkruan për të  katërtën herë kryeopozitarit Lulzim Basha. Në një tjetër letër publikuar në faqen e tij në facebook shefi i qeverisë i përsërit kundërshtarit të tij poltik kërkesën për tu ulur në tryezën e dialogut.

“Edhe armiqtë dialogojnë, madje edhe kur janë në llogoret e luftës prej vërteti e ndalin këmbimin e zjarreve dhe i lenë një kohë këmbimit të fjalëve. Pastaj, nëse fjalët nuk e ndalin dot zjarrin, zjarri rimerr vendin e fjalëve. Ndërsa kundërshtarët në demokraci hedhin e presin shumicën e kohës, po ka gjithnjë një kohë kur ulen e flasin, sepse demokracia edhe mur edhe urë, fjalën ka.”

Kryeministri Rama i thotë kryetarit të Partisë Demokratike Basha ta harrojë dorëheqjen e tij ashtu sikurse anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërkohë që  situatës aktuale i heq një paralele me atë të dy viteve më parë. 

Ju thoshit ik ti dhe pastaj flasim, madje bjere dorëheqjen me shkrim në Çadrën e Republikës së Re që të flasim!

Dhe në fakt, dorëheqja me shkrim nuk erdhi se s’kishte si të vinte, po erdhët Ju në rrugën e arsyes dhe çadra iku bashkë me Republikën e Re, se s’kishin si të mos iknin. Edhe sot, Ju duhet ta harroni dorëheqjen time për një arsye shumë të thjeshtë: Unë as jam zgjedhur nga Ju, as punoj për Ju dhe as mund të tradhëtoj ata që më kanë zgjedhur e të gris kontratën detyruese me ta, shumicën e shqiptarëve, pse Ju nuk pranoni t’i nënshtroheni vullnetit të shumicës dhe i frikeni zgjedhjeve si djalli temianit!

Bashkë me dorëheqjen time, Ju i dashur Lulzim, duhet të harroni edhe se mund ta nënshtroni shumicën, duke imponuar me dalëmendjen e një pakice në tkurrje, anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit – të cilat nuk i kam caktuar unë po Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nuk i kam në dorë unë, po populli shqiptar.”

Shefi i qeverisë përsërit në letër atë që shkruan se i ka thënë dhe më herët përmes mesazheve shefit të selisë blu ndërsa shprehet se nuk ka mbetur shumë kohë për të ndryshuar rrugë.

“Keni akoma shumë, sa shumë, për të humbur dhe keni akoma kohë, shumë pak kohë, për të rifituar kthjelltësinë, qetësinë e drejtimin e humbur, duke u kthyer në Tryezën e Dialogut e duke i kursyer Shqipërisë, po edhe vetes e grupimit Tuaj, kostot e një aventure sa qesharake, aq edhe të kushtueshme për këtë vend në radhë të parë.

Këto letra të miat po zgjaten përditë, sepse po mbarojnë! Dhe me durim po Ju përsëris, ejani në Dialog. Pa kushte dhe pa frikë. Kushtet dhe frika, janë pengesat që do Ju nxjerrin nesër si dështak nga politika, nëse nuk i nxirrni sot fishek nga vetja.”

Ndërsa pret përgjigjen e krytarit të Partisë Demokratike për tu ulur në bisedime kryeministri Rama thotë se përmes këtyre letrave synon gjithashtu ti bëjë të qartë publikut qëndrimine tij rreth situatës së krijuar në vend./ABC News Albania 24/7