Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin e radhës me prindërit ku në fokus ishte shqetësimi i ngritur nga rrjetet sociale që më së shumti ka prekur fëmijët.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama theksoi se në rrjete sociale fëmijët, nxënësit apo adoleshentët, marrin një frymëzim komplet tjetër nga ajo çfarë edukohen në shkolla.
“Në ato rrjete nuk ekziston asgjë nga fjalët që mësuesi përpiqet të edukojë nxënësit. Aty fëmijët marrin një frymëzim komplet tjetër. Dhe në momentin që i jep fëmijës telefonin dhe nuk e kontrollon se është edhe pjesa e kontrollit, mendoj që prindërit kur fëmijës i blejnë një telefon i kanë dhënë një “rrugaç për shok”. Këto rrjete sociale edhe pse për shkak të detyrës i përdor siç i përdorin gjithë të tjerët…por kështu e shoh telefonin në dorën e fëmijëve , por sidomos të adoleshentëve si një “rrugaç që ia ke dhënë për shok”. Problemi tjetër është që nga pikëpamja teknike këto janë të pandalueshme plotësisht, edhe sikur të duash. Australia para dy ditësh kaloi ligjin e parë në botë që ndalon të gjitha rrjetet sociale për fëmijët deri në 16 vjeç. Por kanë mekanizmin se si ndalohet, megjithatë ndalimi është i mundur në një pjesë shumë të madhe. Një ulje e rëndësishme e fëmijëve që mund të kenë akses është i mundur, por kjo nuk është zgjidhja, kjo është një nga shumë elementët e lehtësimit, sepse mendoj se kështu si po shkon teknologjia një element ndalimi nuk ka. Asgjë nga këto nuk heq dot përgjegjësinë dhe peshën që ka ndërveprimi i të rriturve dhe fëmijëve në familje, dhe më pas vjen ndërveprimi mes familjes dhe shkollës; dhe vjen gjitha hapësira tjetër që ka rëndësi”, tha ai.
/abcnews.al/