Pak orë pasi opozita dorëzoi mandatet në Kuvend, Kryeministri deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Në një mesazh 32 minutësh nga foltorja e qeverisë, shefi i ekzekutivit tha se çfarë i ofron opozitës është dialogu e jo zgjedhjet e parakohshme, sepse sipas tij qytetarët janë me të.
I duket tepër vonë për të bërë çunin e urtë dhe ende herët që të bëjë plakun e urtë, por një gjë e ka të qartë: nuk do tërhiqet para kërkesës së opozitës për qeveri tranzitore e zgjedhje të parakohshme. Edhe me dorëzimin e mandateve të opozitës, qeveria do vazhdojë punën e zgjedhjet do mbahen sipas kalendarit të përcaktuar, vendoret në qershor 2019 e parlamentarët në qershor 2021. E bëri të qartë gjatë një mesazhi 32 minutësh nga selia e qeverisë.
“Di që, jo vetëm është shumë vonë që një njeri si unë të bëhet çun i mirë me të gjithë dhe shumë herët për mua që të bëj plakun e urtë ndaj të gjithëve, por një gjë të tillë as ua kam premtuar atyre që më kanë zgjedhur e as nuk është se nuk m’i kanë ditur qoftë huqet apo nuk m’i kanë parë qoftë dhe atletet me kostum kur më kanë zgjedhur.
Përgjegjësia jonë është të vazhdojmë drejt në rrugën që na kanë përcaktuar zgjedhësit tanë dhe t’u shërbejmë me përkushtimin më të madh të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim, aq më tepër në këto kushte kur qytetarët demokratë nuk i përfaqëson më askush në tempullin e demokracisë dhe të fjalës së popullit mes dy palë zgjedhjeve”.
E pranon se dorëzimi i mandateve është ditë e keqe për demokracinë, por mbetet zgjedhja më e keqe e opozitës, e dy herë gjatë fjalës së tij tha se i shtrin dorën e dialogut.
“Është ditë e keqe për demokracinë shqiptare kjo e sotmja, s’ka dyshim. Është e dëmshme sa të duash për produktivitetin e jetës tonë politike. Njëkohësisht dora e bashkëpunimit dhe e dialogut me opozitën, pavarësisht vetëpërjashtimit të saj ekstrem nga jeta parlamentare është e shtrirë dhe do të mbetet e shtrirë. Edhe kjo temë me siguri do ketë kohën e vetë të shtjellimit më herët se vonë sepse jeta parlamentare e atyre që sot lanë mandatet mesa duket mbaroi për këtë legjislaturë, por jeta politike vazhdon. Ashtu sikundër, kjo shumicë qeverisëse do të vazhdojë punët për Shqipërinë, jo sikur nuk ka ndodhur asgjë por edhe sepse kjo që ndodhi na ngarkon me një përgjegjësi edhe më të madhe në udhëheqjen me largpamësi dhe me maturi të vendit dhe me shërbimin me përulësi dhe urtësi ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi pa asnjë dallim. Dallimi nga sot është se ata që ikën do të bëjnë çmos që të përçajnë më shumë.
Ne që jemi këtu, do bëjmë çmos që të bashkojmë më shumë”.
Edi Rama është i vetëdijshëm se kjo nuk është Shqipëria që do dhe qeveria që ai drejton është e kritikueshme, por nga ana tjetër ajo dëgjon popullin e saj.
“Nuk është Shqipëria që unë dua, ajo e zyrave të shtetit që nuk u përgjigjen si duhet njerëzve, as sa duhet dhe as kur duhet. Po ama në Shqipërinë që kemi sot s’ka njeri të zakonshëm që të mbetet prapa dyerve të një zyre dhe të mos gjejë në krah qeverinë, mua personalisht dhe ministrat”.
Heqja dorë nga mandati është një akt i panjohur e i paparë, por sipas Kryeministrit, ata që dorëzuan mandatin nuk kanë mbrapa popullin.