Rama flet për rëndësinë e integrimit europian të vendit

schedule19:29 - 28 Korrik, 2019

schedule 19:29 - 28 Korrik, 2019

Gjatë një forumi në Salzburg të Austrisë, kryeministri Edi Rama tha se Shqipërisë i duhet maturi politike. Ai e pranoi se situata në vend është mjaft e vështirë, ndërsa foli edhe për domosdoshmërinë e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Situata e vështirë politike në Shqipëri, ishte në qendër të fjalës së kryeministrit Edi Rama gjatë forumit Konvoko, mbajtur në Salzburg të Austrisë. Shefi i qeverisë tha se palët politike në Shqipëri e kanë të vështirë të gjejnë gjuhën e përbashkët, ndërsa foli për domosdoshmërinë e maturimit politik.

“Ne kemi një jetë shumë të vështirë politike. Besoj fort se cilësia e demokracisë, e të bashkëjetuarit nuk varet nga sa shumë biem dakord, por nga mënyra sesi nuk biem dakord. Ne nuk biem dot dakord as për kohën. Duhet të piqemi sepse demokracia nuk është e thjeshtë. Rritja, maturimi janë pjesë e këtij tranzicioni të dhimbshëm dhe Europa është shumë e rëndësishme dhe integrimi europian është unik sepse na jep mjetet për tu modernizuar, na jep mënyrat dhe njohuritë për të ndërtuar institucione, për të ndërtuar një sistem drejtësie të besueshëm”, tha Rama.

Kryeministri i tha moderatorit të forumit se Integrimi në Bashkimin Europian është mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë, dhe se qëllimi kryesor është ndërtimi i një shteti europian të së drejtës.

“Për ne në rajon, Europa është së pari dhe më e rëndësishmja ajo që u nis si projekt paqeje dhe bashkëpunimi për të mirën e gjeneratave të reja. Prandaj s’mund të heqim dorë nga ajo. Megjithëse Europa nuk po shkon mirë, ne përsëri e duam. Nuk është se duam të bashkohemi me Europën e t’i shtojmë kokëcarje drejtuesve të saj që mesa duket janë lodhur me disa vende që kanë ardhur së fundmi, por duam të ndërtojmë një vend Europian dhe një rajon Europian me institucione dhe shtet të së drejtës dhe me demokraci funksionale, e ka vetëm një mënyrë për ta arritur këtë, me Europën”, tha Kryeministri.

Në përfundim, Rama foli mbi artin, letërsinë dhe kulturën. Ai nuk la pa përmendur edhe kërpudhën që u shkatërrua në njërën nga protesta e opozitës. Kryeministri tha se ajo jo vetëm do të rindërtohet, por do të ketë një lartësi 25 për qind më të madhe se e mëparshmja./ABC News Albania 24/7