13 kushtet e vendosura nga Evropa për çeljen e negociatave të Shqipërisë interpretohen gabim nga opozita sipas kryeministrit Edi Rama. Në një takim me strukturat e integrimit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e jashtme kreu i qeverisë sqaroi se bëhet fjalë jo për kushte por për përputhshmëri të shtetit shqiptar me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Stuhia në detin që mban emrin Bashkim Evropian mbaroi për kryeministrin Edi Rama.
E pas çdo stuhie lind dielli që për kreun e qeverisë shqiptare nuk do të thotë të pushosh përkundrazi.
Përballë ka të gjithë ata që kontribuan në procesin e integrimit, por sqarimin se sa kushte janë vendosur dhe për çfarë nuk ua jep atyre, por qytetarëve dhe njëherazi i kundërpërgjigjet opozitës që ka deklaruar se Shqipërisë i janë shtuar 8 kushte të reja krahasuar me kohën, kur të djathtët qeverisën.
“Mua më vjen për të qeshur, por edhe për të qarë kur dëgjoj që thuhet se Europa ka vënë 13 kushte, Europa ka vënë 12 kushte, Europa ka vënë 7 kushte. Europa nuk ka vënë faktikisht asnjë kusht. Thjesht ka nënvizuar të gjitha kushtëzimet që ka procesi në këtë fazë”.
E duke e drejtuar gishtin edhe nga vendet e Bashkimit Evropian, iu kujton sakrificat që Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë për të qenë pjesë me ta.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se ndërkohë do të ngrihet struktura e negociatave dhe do të thellohen reformat. Megjithatë pavarësisht kritikëve se vendi ynë nuk ka çfarë të festojë pas vendimit të fundit, një surprizë ia ka rezervuar 4 ambasadorëve që patën detyrën më të vështirë./abcnews.al