Kryeministri Rama e nisi axhendën dy ditore në Shkodër me inspektimin e punimeve në rrugën Shkodër-Velipojë. Rama tha se puna vazhdon me ritme të shpejta dhe ky aks rrugor do t’i japë zhvillim turizmit në zonë.
Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, duket se kanë bërë paqe. Gjatë inspektimit të punimeve në rrugën Shkodër-Velipojë, të dy ranë dakord për disa ndryshime në segmentin rrugor që po ndërtohet.
Voltana Ademi: “Ky lot ka ecur mirë është punuar që në fillim mirë. Kemi disa probleme vetëm në lotin e parë edhe në lotin e dytë. Bëhet fjalë për rrugë dytësore bujqësore, për fermat që lidhen. Ky është problem që mbetet akoma i pazgjidhur. Ka probleme me kanalet kulluese, sepse në disa raste aksi i rrugës shkon përmbi kanalin kullues dhe meriton vëmendje. Dhe ndoshta pika e lidhjes në kilometrin 0 kur hyn në rrugë”.
Kryeministri Rama u tha se puna po vazhdon me ritme të shpejta.
Edi Rama: “Është rrugë që është me rëndësi strategjike për të gjithë zonën, është një zonë intensive turistike dhe ishte koha për ti dhënë fund kësaj vështirësie të lidhjes së qytetit, por edhe të gjithë pjesës tjeteër që vijnë në Velipojë”.
Ai komentoi edhe pretendimet e qeverisë së Malit të Zi në lidhje me rrugën Adriatiko-Joniane. Këta të fundit kërkojnë që ky segment të kalojë nga Podgorica në drejtim të Shkodrës dhe jo nga Ulqini në drejtim të Shëngjinit.
Edi Rama: “Mos ki merak, bëj durim, të gjitha gjërat zgjidhen. Siç e shikon durimi po na afron dhe me Voltanën, merre me mend pastaj sa kollaj e kemi me Malin e Zi”.
Kryeminstri Rama shoqërohej nga ministra të kabinetit qeveritar dhe drejtues të pushtetit vendor në Shkodër./abcnews.al
https://youtu.be/QpaBEnjs_t4