Rama: Debati me opozitën kohë e humbur në absurditet

schedule13:08 - 28 Qershor, 2018

schedule 13:08 - 28 Qershor, 2018

Në fjalën e mbajtur në seancën plenare të kësaj të enjteje, kryeministri i vendit, Edi Rama, tha se qeveria nuk ka çfarë të debatojë me opozitën. Lidhur me vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për të hapur negociatat në Qershor të 2019-s me disa kushte të paracaktuara, Rama tha se tani qeveria ka një barrë të re dhe nuk ka pse të mbajë opozitën në kurriz.

“Për çfarë debatojmë ne me këta? Sinqerisht ne nuk kemi punë me këta se kemi mjaftueshmërisht punë për të bërë dhe në këtë stad të ri barra jonë është mjaft e rëndë dhe s’kemi pse i mbajmë këta në kurriz”, tha ai.

Kryeministri i vendit tha gjithashtu gjatë fjalës së tij në Kuvend se është ftuar së bashku me Zaev për të shkuar në ditët e ardhshme në Bruksel që të fillojnë punën përgatitore për hapjen e negociatave.

“Sot jam ftuar bashkë me kryeministrin e Maqedonisë për të shkuar në ditët e ardhshme në Bruksel për të filluar punën përgatitore, që është puna e të gjithë procesit analitik për hapjen e negociatave.  Këta më thonë jepni dorëheqjen. Do të flas edhe me Zaev dhe do t’ju kthejmë përgjigje, por kur të jemi pushim, d.m.th ka kohë. Ne themi kemi datën për negociatat, këta thonë jo. Në Korrik vjen delegacioni i Komisionit Europian për nisjen e procesit analitik. Vjen Qershori (për hapjen e negociatave), këtu do jemi”,  tha kryeministri Rama.

Më tej, Rama shtoi se Qershori nuk është pozitiv për opozitën. Kryeministri tha se në parlament nuk ka opozitë, dhe se këtë të fundit e kanë me njerëzit, hallet dhe problemet e tyre.

“Qershori nuk është pozitiv për ju. Është hija që ju ndjek dhe që do vazhdojë të ju ndjekë nga pas. Duhet të pajtohemi me këtë fatkeqësi: Nuk kemi opozitë. Opozitën e kemi në terren, në rrjetet sociale, opozitë kemi hallet dhe problemet e tyre. Këtyre ça t’u bëjmë? Është problem shumë i madh realisht, sepse jemi vetëm edhe qeveri, edhe në përpjekeje për të kuptuar sesi mund të bëjmë gjërat më mirë dhe me këtë kemi një shpëtim, njerëzit e thjeshtë që na votuan dhe që nuk na votuan. Me ta e kemi punën. Me këta mazallah! Asnjë debat, kohë e humbur në absurditet”, tha Edi Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!