Rama: Çelja e vendeve të punës është reale

schedule12:10 - 1 Maj, 2018

schedule 12:10 - 1 Maj, 2018

Informacionin për mundësinë e punësimit të shqiptarëve doli ta marrë në sheshin Skënderbej edhe kryeministri Edi Rama.

Në qendrën e kryeqytetit është hapur panairi i punës. Stendat e sipërmarrjeve private presin t’u përgjigjen kërkesave të tyre.

Edhe Bashkia e Tiranës ofron 62 vende të reja pune për sanitarë dhe 62 vende të tjera për administratorë, që do të kujdesen për shkollat dhe palestrat gjatë ditës e njohu kryeministrin, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Erion Veliaj: “Me sistemin e ri bashkë me Ministrinë e Arsimit hapëm 62 palestra. Do të thotë që do të kemi 62 sanitarë dhe 62 administratorë. Tani që  ka nisur në darkë për kurset sportive dhe ka ecur goxha mirë. Te Shkolla e Kuqe kishim 120 fëmijë që u regjistruan që ditën e parë”.

Pasi vizitoi çdo stendë kryeministri Rama arriti në të njëjtin përfundim që artikulon prej kohësh.

Edi Rama: “Në të gjitha ndërmarrjet e Shqipërisë ka vende pune. Ajo që është e rëndësishme është që të kuptohet që puna nuk vjen në shtëpi, puna nuk është vetëm punë shteti dhe se për ne është e domosdoshme që të ndajmë njëherë e mirë këtë vijë, të funksionojnë si një forcë e madhe lëvizëse që shtyn drejt punësimit real në sektorin privat”.

Duke u ndalur në stendën e rojeve bregdetare, kreu i qeverisë tha se janë angazhuar që sezoni i ri turistik të mos përjetojë ngjarje të rënda si vitet e mëparshme.

Edi Rama: “Për këtë sezon ne jemi përqëndruar shumë te siguria sepse kemi nxjerrë mësime nga e shkuara kështu që duhet të ndërtojmë një bashkëpunim edhe me Ministrinë e Brendshme dhe me Ministrinë e Turizmit, në mënyrë që ky aspekt i vrojtimit dhe ruajtjes të jetë i garantuar këtë vit”.

Ky panair është hapur posaçërisht në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve për të dhënë mesazhin se koha e pritjes në kafe apo në shtëpi ka mbaruar.

Edi Rama: “Jemi në një situatë ku çelja e vendeve të punës është reale, rritja e mundësive për punë është reale, por duhet të luftojmë të gjithë sëbashku me një psikologji të rëndë të trashëguar se më mirë një punë shtetit, ose pastaj me kafe me lekët e mamit dhe të babit dhe në Facebook duke i thënë ‘kryeministrit o legen na gjej punë’.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!