Rama-Bashës: Kur do flasim?

schedule12:11 - 1 Mars, 2019

schedule 12:11 - 1 Mars, 2019

Për herë të parë kryeministri Edi Rama i bën një ftesë publike për dialog kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Një tjetër mesazh i rëndësishëm që u dha në Samitin e Diasporës ishte ai i presidentit Hashim Thaçi sipas të cilit, për të ndarë territoret e Kosovës duhet të kalohej fillimisht mbi trupin e tij.

E nisi me dashuri fjalimin e tij.

Edi Rama: I love u too.

Për ta vazhduar me urrejten

Edi Rama: Edhe e sotmja e tregon se armiku më i madh i shqiptarëve, janë shqiptarët.

Por urrejtja dhe dashuria ia lanë vendin mendjes së ftohtë kur iu drejtua kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha i cili e kishte lënë bosh karrigen e të ftuarit në këtë takim shqiptarësh.

Edi Rama: Ne jemi në akuzë jo sepse kjo është e vërteta, por sepse shqiptarët janë vënë kundër shqiptarëve. Për ata shqiptarë që ishin ftuar këtu, por nuk janë këtu unë u them vetëm një gjë: kur do flasim?

Me këtë shprehje që bindi shumicën e studentëve të ulen e të flasin, kryeministri Edi Rama shpreson se do t’i japë zgjidhje krizës politike në vend, një ftesë publike që e bën një ditë pas largimit të delegacionit të parlamentit Evropian, të cilëve u doli në krah.

Edi Rama: Kjo është koha nga e cila varet se në cilin kënd vendos ta shohësh vendin tënd dhe varet se sa e vret mendjen për vendin tënd, kur në gjuhë të huaj e kthen vendin tënd në mish për top për hesapet e tua. Na duhet të vazhdojmë të ecim në rrugën që kemi nisur sepse po flasim për shtetbërje dhe nuk po flasim për të ngrënë një darkë të gjithë sëbashku dhe për të pirë raki. Një darkë sëbashku dhe për të pirë raki është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë dhe patjetër që falë ministrit të Diasporës do ta bëjmë edhe pse ai i sheh të gjithë duke pirë raki dhe vetë pi ujë.

Ky samit ka mbledhur shqiptarë nga e gjithë diaspora për të treguar se janë aktiv kudo që jetojnë e mbi të gjithë për të dhënë mesazhe se dinë t’i zgjidhin problemet brenda territoreve të tyre, të paktën nga fjalimet që u mbajtën.

Hashim Thaçi: Shkëmbimi i territoreve është pazar dhe askush nuk do të lejohet të bëjë pazar me kauzë kombëtare. Ndarja e Kosovës pa shkelur në trupin tim, nuk do mund ta cënoj askush, një milimetër të territorit të Kosovës. Askush nuk do të mund ta cenojë as Trepçën, as Mitrovicën, as Ujmanin dhe asnjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

Për ndarje të Kosovës, ata që flasin sot janë ata që e kanë ndihmuar Millosheviçin e që sot janë të dëbuar tha presidenti Thaçi.

Hashim Thaçi: Korrigjimi i kufijve? Po, sepse nuk ka njeri në botë që ma mohon angazhimin tim për realizimin e aspiratës së të drejtave legjitime të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit për bashkëngjitje me territorin e Republikës së Kosovës pa cenuar territorin e saj.

Më konkret për diasporën shqiptare u tregua kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.

Ali Ahmeti: Të nderuar, vëllezër, motra. Tani patriotizmi më i madh i ynë është të zbarkojmë me njerëz të mençur, specialistë të të gjitha fushave. Për këtë më shumë ka nevojë atdheu ynë. Ka nevojë, Shqipëria, Kosova, Maqedonia.

Me kujtimin për figurat që i bashkojnë të gjithë shqiptarët dhe me premtimin se nëse bëhen bashkë nuk i mund dot askush është mbyllur dita e dytë e Samitit të Diasporës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!