Në kulmin e sezonit turistik dhe në prag të një vjeshte të nxehtë politikisht, kryeministri Edi Rama ka ndryshuar bashkëkryetarët e degës së Partisë Socialiste në Vlorë.
Klevis Kas, kandidat për deputet që s’mori dot mandatin në 11 maj dhe Erjona Ismaili, deputete e Vlorës, do të jenë dy bashkëkryetarët e rinj të Partisë Socialistë, një ndryshim ky I kërkuar nga vetë shefi I qeverisë në takimin që zhvilloi për 90 minuta ne bashkinë e qytetit bregdetar.
Abc neës ka mundur të mësojë detaje nga takimi surprizë që Kryeministri zhvilloi në bashkinë e Vlorës, ku është kërkuar dorëheqja e të gjithë drejtuesve të bashkisë së Vlorës si dhe të një pjese të konsiderueshme të drejtuesve rajonalë të institucioneve. Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura kreu i qeverisë vuri theksin tek një riformatim i thellë i strukturave vendore dhe zëvendësimin e tyre me kuadro të rinj.
Burime nga takimi konfirmojnë se në fokus të diskutimeve ishin çështje si furnizimi me ujë të pijshëm, menaxhimi i emergjencave nga zjarret dhe mbarëvajtja për një sezon sa më të sigurt e efikas.
Kryeministri ka kërkuar angazhim të pakushtëzuar nga të gjitha strukturat për përmirësimin e performancës institucionale dhe për të garantuar një administrim më të përgjegjshëm të territorit gjatë sezonit veror. Pas përfundimit të takimit, Rama nuk dha asnjë deklaratë për mediat.
Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas deklaratave të forta të kryeministrit ndaj Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të cilin e cilësoi si një institucion që “bën më shumë dëm sesa punë”. Rama urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të aktivitetit të AKU-së dhe paralajmëroi vendosjen e një çmimi të ri për naftën, me qeverinë që do të marrë përsipër garantimin e importeve dhe eksporteve të saj.