Rama: 30 Qershori do të jetë një ditë normale

schedule17:43 - 22 Qershor, 2019

schedule 17:43 - 22 Qershor, 2019

Sipas kryeministrit Edi Rama zgjedhjet do të zhvillohen më 30 Qershor. Gjatë takimit elektoral në Bashkinë e Finiqit, ai deklaroi se dita e zgjedhjeve do të jetë një ditë normale. Edhe nëse do të ketë shfaqje sporadike, për kryeministrin ato do të jenë të pafuqishme për të bllokuar zgjedhjet.

“Përpjekja për t’i rënë ndesh zgjedhjeve, për të krijuar konflikt, për të rikthyer Shqipërinë mbrapsht nuk ka asnjë shans sepse nuk ka popull. Patjetër që ka një masë të konsiderueshme të popullit që janë demokratë, që nuk e duan këtë qeveri që duan që unë të iki një orë e më parë, por ata nuk janë mbështetës të rrumpallës, kaosit dhe të dhunës, nuk ka as sesi të jenë.

Kush i fryn zjarrit të dhunës është i destinuar të tretet në atë zjarr. Nuk ka shans që në Shqipërinë e vitit 2019 të fitojë dhuna, të fitojë kaosi, të fitojnë qorrat që nuk kanë asnjë ideal, asnjë ide, nuk kanë asgjë për të ofruar përveç vetes dhe hallit të tyre të madh të kthyer në një platformë dhune. Në 30 Qershor Shqipëria do të bëjë zgjedhje dhe në një pjesë të territorit kemi nga një kandidat jo se nuk kemi dashur ne të mos kemi kandidatë tjetër po kandidatët e tjerë nuk janë paraqitur. Është shumë e rëndësishme që populli i bashkuar t’i thotë jo politikës së dhunës, së rrëmujës, politikë s ë verbër dhe të dëshpëruara të urrejtjes, sharjeve, shpifjeve dhe baltës.

Jam i bindur se 30 Qershori do të jetë një ditë normale. Edhe sikur të ketë shfaqje sporadike, edhe sikur të ketë orvatje të dëshpëruara ato do të jenë të pafuqishme për ta bllokuar 30 Qershorin dhe për ta kthyer nga një ditë ku duhet të flasë populli në një ditë derdimenësh, të verbërish që kanë humbur busullën nën drejtimin e katër personave të cilët hallin e tyre me drejtësinë duan ta transferojnë tek populli si një hall i madh të Europës me Shqipërinë. Nuk duan në asnjë mënyrë që të çelen negociatat me BE-në. Nuk duan që Shqipëria të ulet në tavolinë dhe Shqipëria të japë llogari për drejtësinë. Kjo është çelja e negociatave”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!