Radhët e ambulancave, Tomini: Kanë elementë jetëshpëtues! 11 spitale rajonale do bëhen COVID

schedule11:24 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 11:24 - 7 Dhjetor, 2020

Eugena Tomini, shefe e Epidemiologjisë në ISHP ka deklaruar në studion e ABC me gazetaren Juli Xhokaxhi se radha e krijuar në spitalet COVID 1 dhe 2 ka ardhur për shkak të procedurave për shtrimin dhe transferimin e pacientëve në spitalet e tjera COVID. Ajo tha se çdo procedurë e tillë kërkon kohë dhe kapacitete për transportin. Tomini deklaroi se ambulanca ka të gjithë elementët jetë-shpëtuese në momentin kur pacienti pret për t’u shtruar në spital.

“Situata është e atillë që kapacitet janë 550 shtretër. Duhet të theksohet që ambulanca që tashmë ka të gjithë elementët e ndihmës jetëshpëtuese. Duke qenë në një situatë pandemisë për rastet që shtrohen apo ata që bëjnë lëvizje nga një spital në tjetër ka një procedurë. Çdo spital që transferohet apo ata që dalin apo shtrohen shoqërohen me autoambulancë. Ambulancat nuk janë vetëm për asistencë mjekësore por edhe për transportin e pacientëve”, deklaroi Tomini.

Ajo foli edhe për hapjen e spitaleve rajonale, ku theksoi se do të funksionojnë me staf të dedikuar. Janë 11 spitale rajonale që do të hapen në tra faza të ndryshme të shtimit të rasteve me COVID, deklaroi Tomini, ndërsa shtoi se në rast se pacientët do të shfaqin shenja më të rënda klinike do të transferohen drejt Tiranës.

“Nuk do diferencoja kapacitetet mes dy spitaleve. Të dy kanë të njëjtat kushtet dhe shërbim. në varësi të daljes së pacientëve ka flukse të ndryshme. Herë ka flukse tek Infektivi dhe herë të spitali “Shefqet Ndroqi”. Janë procedurat e brendshme të spitalit të organizimit të brendshëm të vetë spitalit për të menaxhuar situatën.  

Janë me staf te dedikuar me mjekë specialistë pneumologë. Ka staf të dedikuar për këtë situatë. Ne nuk kemi kaluar në spitalet rajonale. Deri në këtë moment skenarët kalojnë hap pas hapi me 5 spitalet e para. Dhe më pas kemi treshen e dytë dhe treshen e tretë. Në total do të jenë në dispozicion 11 spitale rajonale. Pas ezaurimit të kapaciteteve të Tiranës do ketë një lehtësim. Nëse do ketë nevojë për një trajtim më të specializuar do të transferohen në Tiranë”, u shpreh ajo./mv.abcnews.al