“Ra faja nga fiku”, komentet epike në Qendrën Europiane Sizmologjike

schedule16:42 - 1 Tetor, 2019

schedule 16:42 - 1 Tetor, 2019

10 ditë pas tërmetit 5.8 të shkallës Rihter, lëkundje të tjera janë shënuar në vendin tonë. Më i fundit është regjistruar në orën 14:22 dhe ka pasur një magnitudë 3.4 të shkallës Rihter.

Lëkundjet kanë pasur epiqendrën 31 kilometra në perëndim të Tiranës dhe 12 kilometra në veriperëndim të Shijakut. Edhe pse nuk ka qenë i fortë, tërmeti është ndjerë nga shumë persona, të cilët kanë reaguar në faqen e internetit të Qendrës Europiane Sizmologjike.

“U ndje pak këtu në Vorë. Nuk ishte për panik, por ra që ç’ke me të”, shkruan një person.

“Po mirë, pritej të ndodhej kjo gjë, tërmete të vogla pas asaj të ditës së shtunë. Nuk na bën përshtypje. Shikoni shembull Turqinë. Njëlloj nuk kanë reshtur atje edhe më shumë 4 ballësh. Mos u frikësoni pa lidhje”, shkruan një person tjetër që sipas Qendrës Europiane ndodhej në Kashar, ose 21 kilometra larg epiqendrës së tërmetit.

Megjithatë ka pasur të tjera komente, ku thuhej se nuk e kishin ndjerë tërmetin. Gjithashtu ka pasur edhe komente humoristike, si kjo e një personi nga Durrësi.

“Ra, ra. Ra faja nga fiku”, shkruan ai.

Një tërmet me magnitudë 5.8 i shkallës Rihter goditi Shqipërinë më 21 Shtator. Epiqendra e lëkundjeve ishte pranë Kepit të Rodonit. Tirana dhe Durrësi ishin dy qytetet që u prekën më shumë nga tërmeti. Si pasojë pati vetëm dëme materiale, por fatmirësisht asnjë humbje jete.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!