Gjatë bisedës në studio me Mirela Milorin, mbrëmjen e sotme, Prof. Dr. Arben Pilaca i është përgjigjur edhe pyetjeve të disa prej teleshikuesve të ABC News të cilët ndoqën në kohë reale këshillat e mjekut.
Çfarë duhet të dimë dhe si të mbrohemi nga Koronavirusi?
Pyetje-përgjigje me Prof. Dr. Arben Pilaca:
Pyetje: Cili është ushqimi ideal për tu mbrojtur?
Unë nuk jam dietolog në fakt por mund të them se dieta duhet të jetë e ekuilibruar, një dietë e shëndetshme, duhet patur parasysh që të shtohen pak kripërat dhe mineralet, vitaminat, zarzavatet. Është e njohur se vitamina C, magnezi dhe zinku, ndikojnë mirë në mukozën respiratore, por jo se ka ndonjë studim konkret mbi koronavirusin, pra çdo gjë me ekuilibër.
Pyetje: Një shikuese nga Greqia e cila është me një veshkë pyet: A ndikon për keq nëse do të infektohet nga koronavirusi?
Do të thoja se deri tani, nuk kam dëgjuar se pacientë të tillë futen në një grup të dobët. Është si gjithë të tjerët, nuk e penalizon kjo gjë, duhet mbrojtur si gjithë të tjerët.
Pyetje: Njerëzit që kanë probleme në mushkëri, çfarë kujdesi duhet të tregojnë?
Padiskutim duke iu referuar sistemit që prek ky virus, rrugët e frymëmarrjes, të gjithë ata që kanë sëmundje kronike, ata që janë duhanpirës, që kanë probleme të astmës, ata që punojnë në miniera, duhet të jenë më të kujdesshëm. Si masë parandaluese që mund t’ju them, është që të heqin dorë nga disa zakone, të cilët e mbajnë gjallë këtë infeksion kronik, duhet të distancohen edhe nga familjarët.
Pyetje: Cilat janë grupmoshat më të prekura?
Grupmosha e tretë, kjo është një nga arsyet pse italianët kanë vdekshmërinë më të lartë, kanë popullsinë më të vjetër në Europë, ata me sëmundje kardiovaskulare, të mushkërive, diabetikët. Të gjithë të sëmurët kronikë duhet të bëjnë kujdes, sepse ky virus dëmton ekuilibrat që ka prishur sëmundja kronike, të eliminohet stresi.
Pyetje: A ekziston mundësia të rikthehet virusi tek ata persona që e kalojnë?
Akoma nuk ka përfunduar studimi i qasjes dhe sjelljes së këtij virusi, ka tek-tuk ndonjë rast në literaturë ku thuhet se është rikthyer, por këto janë nuk janë rikthime, por riinfektime.
Pyetje: Një teori që qarkullon është se mund të rikthehet ky virus në vjeshtë, madje më agresiv, a ka një lexim të tillë nga pikëpamja shkencore?
Si një virus i ri, për të gjithë popullatën është receptive, pra nuk ka njeri që nuk prek, por nuk i prek njëkohësisht. Do të bëhet qarkullimi në hemisferën jugore, do të rikthehet në atë pjesë që nuk e kaluan atë fazë, kam shpresë se do e presim më me lehtësi, pasi do kemi më shumë të dhëna, dhe më shumë informacion, dhe mbi ilaçet që veprojnë mbi mekanizmat provokues të këtij virusi, historia ka treguar se viruset rishfaqen më të butë.
Pyetje: Ajo që më shqetëson është se pas kërkesave të mëdha për ndihmë, në rast se do të rritet në mënyrë drastike numri i të prekurve nga virusi, ku do të gjejmë shpëtim në rast se qendrat shëndetësore nuk do të kenë kohë apo vende, apo medikamente për tu përgjigjur kërkesave të shumta të popullatës?
Prandaj duhet të zbatojmë të gjitha masat që janë marrë, që të mos kemi një numër të pamundshëm për ti menaxhuar nga sistemi shëndetësor, ky është momenti i duhur që të tregojmë dhe të vazhdojmë të ndihmojmë, të zbatojmë në mënyrë rigoroze masat. Ka grupe njerëzish që nuk ndjekin televizorin, duhet të informohen që ti marrin këto masa. Të na ndihmojnë mos të përfundojmë në këtë situatë. Besoj se njerëzit do ta vlerësojnë këtë situatë pasi e bëjnë për jetën e tyre.
Pyetje: Një person që kalon të gjithë shenjat e virusit dhe përmirësohet, pas një jave shfaqen simptomat e kollës, infeksionin e faringut, dhe këputje të trupit, çfarë tregon?
Ka disa skenarë këtu, nëse pëson komplikacion nga vetë virusi apo ka diçka tjetër të mbivendosur. Infeksionet virale të rrugëve të frymëmarrjes, dëmtohen nga vetë virusi, quhen pneumoni primare, nëse ndodh përmirësimi dhe rishfaqet sërish, probabiliteti më i madh është që të jetë shfaqur një pneumoni e një karakteristike tjetër, psh nga bakteret apo diçka tjetër, asnjëherë nuk duhet të hiqet vëmendja, që ky virus nuk do shoqërohet me të tjera pasoja, ky virus dëmton vetë por mund të bashkëshoqërohet edhe me infeksion bakterial. Virusi ka një mjekim me antiviral, që në rastin konkret nuk e kemi, ndërsa kur e kemi bakterial trajtohet me antibiotikët. Dy skenarë ka, ose komplikohet nga virusi, ose është komplikacion jo nga virusi, por nga bakteret që mbivendosen. Këto zgjidhen pas një vizite, me anë të imazherisë dhe kulturave.
Pyetje: Të sëmurët me diabet tip 2 janë të prirur?
Në përgjithësi të gjithë diabetikët. Duhet të luftohen infeksionet në përgjithësi. Diabeti i c’ekuilibruar i mban gjallë infeksionet, ndaj duhen trajtuar me shumë kujdes duke mbajtur nën kontroll diabetin.
Pyetje: Virusi sa jetëgjatësi ka në rroba dhe objekte?
Nuk jam virolog, por nga ajo që kam lexuar, është se mund të themi se, ky virus është inteligjent dhe i pabesë, por nuk është trim. Sidomos në sipërfaqet jo të gjalla, siç janë xhami, druri, brenda 10-15 minutave shkatërrohet, gjithashtu shkatërrohet edhe në një temperaturë 25 gradë. Kështu që pastrimi me solucione është shumë i mirë, ndërsa në organizmin e njeriut është gjë tjetër, sepse kam dëgjuar shpesh që thonë se temperatura e trupit është 36-37 gradë, si ka mundësi që nuk ngordh, sepse organizmi është qelizë e gjallë dhe është tjetër gjë. Prandaj është i rëndësishëm pastrimi i përbashkët. Ndërkohë që maskat nuk është e nevojshme të përdoren pa kriter. Ky është shpenzim i jashtëzakonisht i madh. Nuk ka asnjë vlerë, nuk të mbron për asgjë. Maskat janë për të mbrojtur të tjerët, jo se mbron veten nga të tjerët. Ajo vendoset vetëm kur një person ka simptoma të sëmundjes. Ndaj themi që larja e duarve me ujë të nxehtë e sapunë është më i miri, dizinfektantët padyshim.
Pyetje: Vaksina duket në horizont?
Do isha njeriu më i lumtur po të kishim një përgjigje të tillë. Ka një teknologji që s’mund të kalohet. Është momenti i formulës, pastaj testimi tek kafshët, shihet reagimi te kafsha, pastaj në varësi të saj vjen faza e testimit te njeriu. Vaksina do kohën e vet, të paktën 1 vit për tu prodhuar./abcnews.al