Qeveria ka miratuar programin e ri të pagesës së papunësisë. Ajo do të jetë sa gjysma e pagës minimale, pra 110 mijë lekë të vjetra. Vendimi saktëson kohën e përfitimit të kësaj pagese dhe parashikon se kushdo që refuzon të punësohet do të përjashtohet nga skema.
Në Mars të vitit 2016, qeveria vendosi të rrisë me 60 përqind pagesën bazë të papunësisë. Por ata individë që pretendojnë të përfitojnë 110 mijë lekët e vjetra duhet të përmbushin kriteret e reja që janë përcaktuar në vendimin e fundit të këshillit të ministrave.
“Pagesa do të jepet për:
• 3 (tre) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 1 vit;
• 6 (gjashtë) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 3 vjet;
• 9 (nëntë) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 5 vjet;
• 12 (dymbëdhjetë) muaj, për personat me një periudhë kontributi mbi 10 vjet;
• Gratë mbi 55 vjeç dhe burrat mbi 60 vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 muaj, me kusht që të kenë kontribuar 1 vit në sigurimet shoqërore, për çdo rast përfitimi”.
Por ka një skemë të re edhe për ndërprerjen e të ardhurës nga papunësia të cilën Kryeministri Edi Rama e ka paralajmëruar në deklaratat e tij.
Edi Rama: “Pse të gjithë shqiptarët që paguajnë taksa, duhet të paguajnë dhe për ty, që ti të rrish si parazit? Jo. Nuk mund të ndodhë kjo”.
E thëna tashmë është vendim.
“Personave përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia u ndërpritet përfitimi kur:
a) refuzojnë të punësohen ose të ndjekin një program punësimi të përshtatshëm, të ofruar nga zyra e punësimit;
b) refuzojnë të marrin pjesë në kurse trajnimi dhe kualifikimi, të ofruara nga zyra e punësimit;
c) nuk paraqiten një herë në muaj;
ç) plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar”.
Pavarësisht këtyre ndryshimeve, Kryeministri Rama ka nënvizuar se ndihma ekonomike duhet trajtuar thjesht si emergjencë dhe për të mbështetur punësimin./abcnews.al