Qeveria ndryshon projektbuxhetin 2020, përfshihen fondet për rindërtimin e banesave të shkatërruara

schedule16:03 - 2 Dhjetor, 2019

schedule 16:03 - 2 Dhjetor, 2019

Tërmeti i 26 nëntorit që ka shkatërruar dhe dëmtuar një numër të madh banesash do të bëjë që qeveria të ndryshojë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Lajmi u dha nga kreu i Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj, i cili theksoi se kryeministri Rama ka vendosur që të përfshijë në buxhet edhe fondin për rindërtimin e banesave të shkatërruara.

“Në buxhetin 2020 do ta kalojmë në parim, por ai do të ndryshohet nen për nen sepse po e them zyrtarisht kryeministri ka vendosur që të përfshijë fondin e rindërtimit në buxhet. Pasi ky fond të jetë përcaktuar atëherë buxheti do të ndryshohet gjatë diskutimeve nen për nen”, tha Ahmetaj sot në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë.

Ndërkohë, ministrja e financave tha në një prononcim për mediat se pjesa kryesore e parave për ndërtimin e banesave do të vijnë nga shkurtimi i investimeve publike, por qeveria do të vërë gërshërë edhe mbi shpenzimet korrente.

“Kemi identifikuar disa projekte të cilat mund të shtyhen me një vit për të krijuar hapësirë që të financojmë programin e rindërtimit”, tha Denaj. /abcnews.al