Qendrat e transferimit të migrantëve synohet të përqendrojnë dhe përshpejtojnë procedurat e azilimit të refugjatëve, por ekspertët e shohin në mënyrë kritike testin në Bavari.
Ai që vjen si azilkërkues në Gjermani duhet të regjistrohet në një instancë shtetërore, në mënyrë që të nisë një procedurë azilimi. Kjo mund të jetë policia në kufi, Zyra e të Huajve, një institucion pritës ose një e ashtuquajtur qendër mbërritjeje. Pas regjistrimit, azilkërkuesve u caktojnë një strehim, në të cilin qendrojnë për aq kohë sa zgjat procedura.
Heidelbergu nuk do të kthehet në qendër të transferimit të refugjatëve (Ankerzentrum)
Markus Rothfuß drejton qendrën e mbërritjes “Patrick-Henry-Village” në Heidelberg. Në kazermën e përshtatur amerikane aktualisht jetojnë 1500 vetë, të cilët regjistrohen atje, kontrollohen në pikëpamje shëndetësore, paraqesin kërkesën për procedurën e azilit dhe jetojnë atje për pjesën e parë të procedurës së tyre. Deri 600 vetë mund të jetojnë këtu çdo ditë. Ekziston një kopsht dhe një stacion i vogël policor. Banorët lejohen të largohen në çdo kohë nga territori. Qendra e Heidelbergut konsiderohet për shkak të strukturave të saj të shtrira shpesh si projekt model – megjithatë operatori, Landi i Baden-Vyrtembergut, nuk ka pranuar që të marrë pjesë në fazën e testit të qendrave të transferimit të migrantëve.
Çfarë synohet të ndryshojë me qendrat e reja?
“E”-ja dhe “R”-ja në “Anker” (në gjermanisht fjala “Ankerzentrum” e krijuar nga Ankunft = mbërritje, Kommunale=shpërndarje në komuna, Entscheidung = vendimmmarrje, Rückführung = riatdhesim) janë ato që e bëjnë dallimin: vendimi dhe riatdhesimi. Në qendrat e reja procedura e azilit duhet të zhvillohet deri në fund. Azilkërkuesit duhet të qendrojnë gjatë gjithë kohës në këtë qendër. Meqenëse e gjithë procedura zgjat, qëndrimet në këto qendra mendohet që mund të zgjasin deri dy vjet.
Jeta në kamp: kritikë e ekspertëve
Studiuesit e migrimit të Universitetit në Göttingen kanë hulumtuar pasojat e mundshme që mund të kenë këto qendra të reja. Pyetjet që shtruan ata qenë: çfarë do të thotë të jetosh në një qendër të përbashkët? Cila është dinamika midis banorëve? Cilat probleme mund të shmangen dhe cilat jo? Shkencëtarët paralajmërojnë për rrezikun e izolimit, për barrën e madhe psikologjike te banorët dhe për mungesën e integrimit. Objektivi për të organizuar procedura më humane dhe vërtet më të shpejta nuk arrihet, thotë Sabine Hess, drejtuese e studimit.
Cilat janë problemet, çfarë u ndryshua?
Që prej vërshimit të refugjatëve në vitin 2015, pjesë të procedurës së azilit në Gjermani janë centralizuar më fort. Ndërkohë ekziston një procedurë digjitale regjistrimi te BAMF, edhe qasja te regjistri qendror i të huajve është digjitale. Më 2015 dhe në 2016 numri i kërkesave për azil qe rritur në mënyrë të konsiderueshme.
Përmes të ashtuquajturit sistem EASY, azilkërkuesit shpërndahen në landet e veçanta: njerëzit mund të përfundojnë pas regjistrimit të parë në një rajon krejt tjetër të Gjermanisë. Vërtet që procedurat administrohen në mënyrë qendrore nga BAMF, por strehimi dhe përkujdesja e refugjatëve dallohet pjesërisht jo vetëm nga landi në land, por edhe midis qarqeve dhe komunave. Deri sot për institucionet e azilit dhe të strehimit nuk ekzistojnë standarde të njësuara në të gjithë Gjermaninë, rregullore dhe procese të harmonizuara.
Dhe qendrat e reja bavareze nuk e zgjidhin këtë problem: ekspertët shohin në këtë model një metodë frikësimi, në vend të një përmirësimi të sistemit. /DW