Në qendrat shëndetësore të ngritur pranë plazheve çdo ditë ka pushues që kërkojnë ndihmë. Në Plazhin e Vjetër, numri i atyre që u vizituan gjatë Korrikut dhe dy javët e para të Gushtit shkoi mbi 1110 persona.
Në pushime, por edhe me probleme me shëndetin. Në Plazhin e Vjetër të Vlorës është i lartë numri i pushuesve që kërkojnë ndihmë mjekësore.
Mbi 1110 urgjenca u regjistruan për muajin Korrik dhe dy javët e para të Gushtit. Afërsisht 150 persona që kanë vrapuar drejt qendrës shëndetësore të vendosur aty.
Mjekja Rajmonda Isufi tregon se janë shumë pushues të prekur nga virozat e stinës. Por edhe nga pickimet apo reaksionet e ndryshme.
“Mbizotërojnë virozat e stinës, gastroenteritet te fëmijtë, krizat hipertensive, mjekimet e plagëve, pickimet që mund të ndodhin në plazh. Këto janë gjërat më të zakonshme, më rutinë”, shprehet mjekja.
Në Vlorë janë akomoduar për pushim, vendas e të huaj, pushues nga Kosova e Maqedonia. Por megjithatë zyrtarisht thuhet se rastet e rënda kanë qenë më të pakta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndihma për rastet e vështira jepet në spitalin e Vlorës.
“Flukset në ditët e fundit janë në oraret e mëngjesit dhe të darkës”, theksoi mjekja Rajmonda Isufi.
Këtë sezon qendrat shëndetësore në bregdet janë në shërbim 24 orë. Ato janë ngritur pranë zonave turistike dhe fare pranë plazhit. /abcnews.al