Puna si ministre e Mbrojtjes, Kodheli: Ka ngelur në sedrën e çdo ushtaraku

schedule20:37 - 25 Qershor, 2019

schedule 20:37 - 25 Qershor, 2019

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, deklaroi këtë të martë se gjatë kohës që ka qenë në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes ka kthyer besimin tek detyra ndaj atdheut dhe forcave të armatosura.

Gjatë emisionit, “Provokacija”, teksa u pyet se cila ka qenë gjëja më e mirë që ka bërë në drejtimin e dikasterit të mbrojtjes, Kodheli nënvizoi se angazhimet e reja të forcave tokësore dhe detare në misione të rëndësishme mbarëbotërore kanë për të ngelur në sedrën e çdo ushtaraku dhe të saj si ministre.

“Shumëçka, por besoj që kam kthyer besimin tek detyra ndaj atdheut dhe punët e mira që një forcë e armatosur aq më shumë kur i përket një vendi anëtar të NATO-s duhet të bëjë dhe bën.

Kam bërë shumëçka, misionet e reja, angazhimet e reja, jo vetëm të forcës tokësore, por edhe asaj detare dhe jo vetëm, të cilët me krenari kanë marrë pjesë në misionet më të rëndësishme mbarëbotërore dhe kjo ka për të ngelur në sedrën e çdo ushtaraku, por ka për të ngelur edhe në sedrën time si ministre që u kam mundësuar atyre këtë rol aktiv si një vend anëtar në NATO, pa harruar asnjë detyrim brenda vendit”, tha Kodheli./abcnews.al