PS rrëzon Petraq Milon si kandidat për në KLSH, është pjesë e Këshillit Kombëtar PD

schedule12:19 / 04/09/2019

Socialistët nuk e pranuan as Petraq Milon për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Propozimi i tretë i Presidentit u rrëzua nga Komisioni i Ekonomisë, pasi kishte qenë pjesë e organeve drejtuese të partisë demokratike. Tashmë pritet një propozim tjetër nga Ilir Meta, teksa KLSH drejtohet ende nga Bujar Leskaj, të cilit i ka mbaruar mandati në 22 dhjetor 2018.

Me 9 vota kundër dhe 4 vota pro, Komisioni parlamentar i Ekonomisë rrëzoi kandidaturën e Presidentit Ilir Meta për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Petraq Milo. Ai ishte thirrur në një seancë dëgjimore në këtë komision.

Deputetja e PS, Evis Kushi tha se në CV e Milos mungojnë te dhënat për detyrën që ka mbajtur, gjatë kohës që ai ka kryer studimet. Ai ka qenë edhe kandidat për anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së. Në këto rrethana, sipas deputetes socialiste, kandidati është në konflikt interesi për këtë detyrë.

Por Milo tha se në CV, ai ka pasqyruar informacionet lidhur me detyrat që ka mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, e ndërsa theksoi se nuk ka mbajtur asnjëherë qëndrim politik. Në krye të KLSH vijon të jetë ende Bujar Leskaj. /ABC News Albania 24/7

schedule12:19 / 04/09/2019