TIRANË- Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme nuk do të thirret më për t’u pyetur në seancë parlamentare, por vetëm në Komisionin e Ligjeve dhe tek komisioni i Fatmir Xhafajt.
Po ashtu edhe ILD. Sipas rregullores së re, SPAK dhe ILD nuk kanë detyrim kushtetues për t’u paraqitur në seancë plenare. Në seanca do të thirren institucionet e tjera të drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, KLP dhe KLGJ.
Por konsensusi i dytë ka lënë edhe të pakënaqur. Nga opozita sigurisht nuk votohet pro pa bekimin e Berishës, por vetë kreu i PD-së, në raste konsensusi, preferon të bojkotojë.
Nga mazhoranca socialiste, vendosi të bojkotojë deputeti socialist Erion Braçe. I ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në ABC News, ai paralajmëroi se nuk do ta votonte rregulloren e re pasi synon të kufizojë kompetencat e deputetit në parlament.
“Detyra ime është të bëj deputetin. Rregullorja e re përqendron disa instrumente në duart e një komisioni, që janë instrumente kushtetuese të kontrollit parlamentar që i ka çdo deputet i Kuvendit, nuk i ka një komision, por i ka çdo deputet. Patjetër që nuk më erdhi mirë për disa ndryshime që janë në rregullore. Përqendrimi i instrumentit të kontrollit parlamentar në një komision, natyrisht nuk është një gjë e mirë. Do të votoja kundër kësaj rregulloreje.”, tha ai.
Konsensusi për rregulloren e re u diktua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe afati deri më 21 maj. Do të mbeten në fuqi 11 komisione, ligjet për BE do të miratohen me procedurë të përshpejtuar vetëm kur Brukseli ka vendosur afate kohore për miratim, kurse për përjashtimet nga seanca, PD fitoi barazinë në Sekretariatin e Etikës duke e shtyrë vendimmarrjen për deputetët që prishin seancat tek Byroja e Kuvendit.
Me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, nuk do të ketë më seanca pas orës 22:00, ndërsa me kërkesë të deputetëve të opozitës, brenda 2 ditësh një titullar institucioni është i detyruar të paraqitet në komision për seancë dëgjimore.
Në rastet kur titullari i institucionit nuk i jep informacion deputetit, atëherë i kërkohet kryetarit të Kuvendit t’ia kërkojë informacionin dhe, në rast se nuk ka reagim brenda 5 ditëve, atëherë merren masa disiplinore deri në shkarkim të titullarit. /abcnews.al/


