Pavarësisht protestave të opozitës, mazhoranca duhet të vazhdojë normalitetin parlamentar. Është kjo porosia që i ka dhënë kryeministri Edi Rama anëtarë të kryesisë së Partisë Socialiste. Ndërkohë që socialistët kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore, kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla është shprehur i sigurtë për pjesëmarrjen e Partisë Demokratike.
Fitorja në zgjedhjet vendore është shqetësimi kryesor i socialistëve. Kjo temë zuri kohën më të madhe të diskutimeve në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama kërkoi që të nisë puna për përzgjedhjen e emrave që do të kandidojnë në listat e Këshillave Bashkiakë.
Në seancat parlamentare flisni të gjithë, jemi në normalitet parlamentar. Nisni diskutimet nëpër bashki për kandidatët për Këshill Bashkiak. Në fund, në listë vendosim njerëzit me kontribute.
Me vota unanime është miratuar në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste propozimi i kryeministrit për të emëruar ish Ministrin Damian Gjiknuri në detyrën e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, i cili do të jetë edhe koordinues i punës për reformën zgjedhore.
Të shtunën në kongresin e Partisë Socialiste mësohet se do të shpallen listat e këshilltarëve bashkiakë vetëm për Tiranën, por nuk pritet të shpallen kandidatët për kryebashkiakë. Këtë e konfirmoi edhe kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla jashtë sallës së mbledhjes së kryesisë, i cili shtoi se lista me emrat e kandidatëve për kryebashkiakë nuk ka përfunduar ende.
Kreu i grupit parlamentar të mazhorancës thotë se ata vetë do të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore që i kërkon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga ana tjetër këto ditë janë të angazhuar edhe për kongresin e Partisë Socialiste në agjendën e të cilit është parashikuar të ketë fjalime të disa prej ministrave dhe kryebashkiakëve më të suksesshëm.
Burime nga mazhoranca qeverisëse bëjnë me dije se kongresi që do të nisë në orën 10 në Pallatin e Kongreseve do të jetë i ndarë në tre sesione të ndryshme ku do të diskutohen shembujt e qeverisjes vendore të Partisë Socialiste, platforma e bashkëqeverisjes dhe pakti për universitetin.
Si një ish kryeministër socialist, ka marrë ftesë edhe Fatos Nano për të qenë i pranishëm në këtë Kongres./abcnews.al