28 deputetë të Partisë Socialiste kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e Arben Malajt nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, me argumentin se ka shkelur Kodin e Etikës. Vetë Malaj thotë se shkarkimi vjen pasi nuk i ishte bindur Taulant Ballës për emërime partiake në Bankën Qendrore.
Arben Malaj është një socialist i vjetër. Ai u rizgjodh në anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në vitin 2018, por postin e lakmuar tashmë e ka në rrezik.
28 deputetë socialistë, kanë kërkuar shkarkimin e tij, me argumentin se ka shkelur Kodin Etik dhe ka cenuar besueshmërinë e institucionit që përfaqëson.
“Secila prej daljeve publike të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës dhe të gjitha të marra së bashku, mund të çojnë në konkluzionin se temat e trajtuara dhe qëndrimet e shprehura, mund të kenë ndikim negativ në detyrimet që ai ka ndaj Bankës së Shqipërisë, dhe duke qenë se ato shprehin vlerësime që janë pjesë e analizave politike, të lidhura me grupime politike, besojmë se ato dëmtojnë edhe imazhin e Bankës së Shqipërisë”.
ABC News pyeti disa prej firmëtarëve, nëse shkarkimi kërkohej për shkak të qëndrimeve kritike të Arben Malajt ndaj lidershipit të kryeministrit Rama.
Disa nuk janë të ndërgjegjshëm që kanë firmosur. Vetë Malaj bëri një sqarim në rrjetet sociale, duke thënë se ishte paralajmëruar për shkarkimin.
“Kërcënimet paralajmëruese mi ka dërguar Taulant Balla pas mos pranimit te ndërhyrje se tij edhe me SMS me rekomandime partiake ne proceset përzgjedhjes ne Bordin e Bankës se Shqipërisë. Shqetësimi është i protokolluar ne mbledhjen e Bordit te BSH. Fakti qe pas shkarkimit nga Erdogan te Guvernatorit te Bankes se Turqise, ky mund te rast i dyte qe maxhorancat e gjithe pushteteshme shkarkojne nje anetar Bordi te Bankes Qendrore, Vetem profesionalisht me trishton. Veprimi i tyre eshte i paster politik”.
Malaj, një socialist i hershëm që, veçse deputet, ka shërbyer edhe si Ministër Financash gjatë qeverisë socialiste, e mbyll reagimin e tij duke ju kujtuar ish kolegëve se mes karriges dhe lirisë, do të zgjidhte gjithmonë këtë të fundit./ABC News Albania 24/7