PS kërkon shkarkimin e Zgurit nga posti i kryetarit të KQZ

schedule13:41 - 12 Nëntor, 2017

schedule 13:41 - 12 Nëntor, 2017

Partia Socialiste kërkon që Kuvendi të nisë menjëherë procedurat për shkarkimin e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, me arsyetimin se ka shkelur ligjin në lidhje me çështjen e mandatit të kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Për këtë të fundit PS pretendon se bie ndesh me ligjin e dekriminalizimit, por KQZ vendosi ndryshe, gjë që irritoi socialistët.

Socialistët vendosën ta thellojnë përplasjen me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për çështjen Kapllanaj, duke kërkuar shkarkimin e kryetarit të këtij institucioni, Klement Zguri. Numri dy i PS-së, Taulant Balla, përmes një postimi në Facebook, thekson se asnjë funksionar publik që shkel ligjin nuk mund të vazhdojë më të qëndrojë në atë detyrë dhe për këtë, sipas tij, është detyrim i Kuvendit të fillojë menjëherë procedurat për shkarkimin e kryetarit Zguri, për shkelje të rënda të ligjin të dekriminalizimit.
Socialistët prej disa javësh kërkojnë që kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, t’i hiqet mandati pasi rezulton i dënuar më parë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku PS është në minorancë pas lëvizjeve që pasuan marrëveshjen politike Rama-Basha të 18 majit, e hodhi poshtë kërkesën duke lënë në detyrë Kapllanajn. Ndërkohë që PS ankimoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese, u hodh menjëherë në sulm ndaj kryetarit të KQZ. Akuza e socialistëve ndaj Klement Zgurit, është se me paramendim, vendosi të fshehë dhe të arkivojë pa e shqyrtuar në Komision vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për Kapllanajn.
Ky vendim i kreut të KQZ-së, shkruan Taulant Balla në Facebook, i shtyu sa mundi jetën politike një të zgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse i të njëjtit krah politik me të dhe i ndikuar nga urdhërat politikë. Sipas numrit dy të PS, duhej të ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si organ kolegjial dhe jo kryetari si individ, struktura që duhej të shqyrtonte, maksimalisht brenda 10 ditësh, në mbledhje publike, rezultatet e vendimit të Prokurorisë, që për Kapllanajn, i zgjedhur me Partinë Demokratike, pohon se përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar nga ligji i dekriminalizimit./abcnews.al

 

https://youtu.be/49rb_mZL82U

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!