Analisti Artur Nura mendon se protestuesit e ndershëm do marrin përgjigje dhe zgjidhje nga qeveria, për problemet që ata kanë.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Nura u shpreh se kryeministri Edi Rama i ka ndarë njerëzit e ndershëm që protestojnë, me ata që duan destabilitet.
Nura shtoi se ka vende që nuk e duan zhvillimin e Shqipërisë, pasi me investime si në Zvërnec, vendi ynë bën hapa përpara në turizmin elitar.
“Më duket qasje e drejtë kjo e kryeministrit, madje është e vonuar. Për protestën sot, dhe ditët e tjera e ka trajtuar në disa nivele. Ka njerëz të ndershëm atje. Pra, pjesa e ndershme e protestës do të respektohet nga kjo shumicë qeverisëse. Me këto duhet punuar, të zgjidhësh problemet e tyre. Për pjesën e korbave, siç etiketon kryeministri, bëhet fjalë për ata që përfitojnë nga ky rast. Kjo duhet lexuar në disa nivele. Në nivelin politik, duhet thënë, kush janë këto njerëz. Ka vende që nuk duan që Shqipëria të ketë ekonomi dhe të ofrojë turizëm elitar. Pati qasje tjetër, që ata pretendojnë se janë shumica. Nuk mund të flitet në emër të popullit kur je 20 mijë, 15 mijë.
Unë kështu e lexoj qëndrimin sot të kryeministrit, më mirë vonë se kurrë. Nuk ka pse të ndërthuret politika e brendshme italiane me atë shqiptare. Nëse do të kundërshtosh kryeministren tënde, bëje atje, por jo në Shqipëri. Kur ti vendos të fusësh shkopa në këmbë për interesa partiake, kjo është e gabuar. Nëse qytetarët e Kosovës vijnë me titull personal, nuk ka asgjë të keqe. Nëse vijnë me logo politike, kjo është e gabuar.
Për shkaqe të caktuara, protesta do bjerë. Kryeministri duhet të merret me ata që protestojnë me të drejtë dhe që nuk i janë zgjidhur gjërat”, theksoi ai./abcnews.al



