Protestat për Unazën e Re, Avokati i Popullit: Situata e paralajmëruar

schedule13:39 - 17 Nëntor, 2018

schedule 13:39 - 17 Nëntor, 2018

Avokati i Popullit kërkon hetim të plotë për situatën e krijuar për shkak të zgjerimit të Unazës së Re në zonën e Astirit. Avokati i Popullit ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet e përfshira në proces, por thekson se situata është e paralajmëruar.

Avokati i Popullit kërkon një hetim të plotë të situatës së krijuar pas nisjes së punës për zgjerimin e Unazës së Re. Përmes një njoftimi për mediat, institucioni i drejtuar nga Erinda Ballanca, bëri me dije se ka depozituar kërkesa për informacion në të gjitha institucionet shtetërore të përfshira në këtë proces, si Bashkia e Tiranës, ALUIZNI, ARRSH, dhe IKMT. Angazhimi i Avokatit të Popullit për rastin ka nisur pak ditë para mbërritjes në institucion të një peticioni i nënshkruar nga më shumë se 200 qytetarë banesat e të cilëve preken nga zgjerimi i Unazës.

Avokatja e Popullit e konsideron situatën të paralajmëruar, duke kujtuar se raporti i rekomandimeve të dërguara në të gjitha institucionet, përfshi Kuvendin e Shqipërisë, për përplasjen e ngjashme të banorëve të Shkozës gjatë ndërtimit të një tjetër segmenti të unazës ra në vesh të shurdhër.

“Avokati i Popullit ka vërejtur ndërkohë qysh prej Qershorit, kur problematika e zgjerimit të njërit prej loteve të Unazës së Re që prek zonën e Shkozës solli përplasje mes qytetarëve dhe autoriteteve publike, se duheshin marrë masa që situata të evitohej gjatë punimeve në lotet e tjera të kësaj vepre, siç është rasti me zonën aktuale tek Astiri”, thuhej në njoftim.

Deri më tani plot 20 persona janë proceduar nga Policia e Tiranës pas protestave të banorëve në Unazën e Re dhe para Bashkisë së kryeqytetit. Ata dyshohen për “tubim të paligjshëm” dhe “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit” gjatë tubimeve në këto dy vende kundër prishjes së banesave të tyre./abcnews.al