Pas seancës që zgjati më shumë se 4 orë, Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për 19 protestuesit të cilët u arrestuan të enjten pas akteve të dhunës pranë Kuvendit.
Pavarësisht se organi akuzës kërkoi masën arrest në burg për 2 prej protestuesve gjykata vendosi të lërë në masën arrest në shtëpi Everest Bardhi dhe Ervin Gega. Për të dy këta të fundit prokuroria kishte prova se kishin kryer akte dhune madje gjatë seancës të zhvilluar të dielën u dorëzuan prova të reja nga organi i akuzës.
Për 12 protestues gjykata vendosi masën e detyrimit për tu paraqitur për një pjesë një herë në muaj dhe një herë në dy muaj. Ndërkohë, për pesë protestuesit e mbetur, gjykata ka vendosur të mos caktojë asnjë masë sigurie.
Ndaj 19 personave që dolën para gjykatës rëndojnë akuzat “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Gjatë protestës së zhvilluar të enjten para Kuvendit protestuesit goditën me sende të forta efektivët duke lënduar 15 prej tyre si dhe shkatërruan një automjet policie.
/abcnews.al/


