Tensionet kanë shoqëruar protestën e opozitës përpara kryeministrisë. Pak momente pasi janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit kanë grisur një fotomontazh të kryeministrit Edi Rama me Presidentin autoritar të Venezuelës Maduro dhe kanë qëlluar me molotov godinën e kryeministrisë.
Ndërkohë një grup protestuesish janë përplasur me policinë që rrethonte godinën e qeverisë. Pasi kanë çarë kordonin e policëve protestuesit janë ngjitur në pjesën e sipërme të kryeministrisë, kanë shkatërruar mbulesën e skelës së vendosur në hyrje të saj dhe kanë thyer xhamat e derës kryesore.
Në këtë moment kanë ndërhyrë efektivët e Gardës së Republikës të ndodhur në mjediset e brendshme të godinës së qeverisë. Me ujë dhe gaz lotsjellës kanë tentuar të shpërndajnë turmën.
Protestuesit nën efektin e gazit janë tërhequr, një pjesë e tyre kanë pasur nevojë dhe për ndihmë mjekësore. Një autoambulancë ka mbërritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’i dërguar në spital.
Protestuesit nën efektin e gazit janë tërhequr, një pjesë e tyre kanë pasur nevojë dhe për ndihmë mjekësore. Një autoambulancë ka mbërritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’i dërguar në spital.
Pas situatës së tensionuar i pari që reagoi ishte Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili bëri thirrje për vetëpërmbajtje. Ndërkohë, Basha në një prononcim për mediat tha se çarja e kordonit të policisë ishte plan i Ramës për të nxitur dhunë.
Protestuesit përveç heqjes së tendës të vendosur në derën kryesore të kryeministrisë kanë shkatërruar edhe veprën e artit “Kërpudha” vendosur në kopshtin e godinës së qeverisë. Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri Rama i kërkoi falje autorit të veprës.
Edhe ambasada e SHBA-së, delegacioni i BE-së dhe prezenca e OSBE-së reaguan pas situatës së tensionuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ata dënuan dhunën gjatë protestës së opozitës, ndërsa i bënë thirrje forcave politike për vetëpërmbajtje.
Deri më tani Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se kanë mbetur të lënduar 15 persona, policë, protestues dhe dy përfaqësues të mediave. /abcnews.al