Protesta e unazës së re, 3 të arrestuarit mbeten në burg

schedule10:12 - 12 October, 2019

schedule10:12 - 12 October, 2019

Gazetarja Glidona Daci në një raportim direkt në ABC News ka njoftuar se në Gjykatën Penale të Tiranës nuk do të zhvillohet procesi për dhënien e masës së sigurisë për 3 personat e arrestuar mbrëmjen e djeshme.

Policia ka konfirmuar arrestimin e 3 personave, mbrëmjen e djeshme në zonën e unazës së re. Në njoftimin zyrtar, blutë e kryeqytetit sqarojnë se arrestimet e protestuesve janë bërë nën akuzën e organizimit dhe pjesëmarrjes në tubime të paligjshme si edhe të prishjes së qetësisë publike. Të arrestuarit janë një 27- vjeçar, një 54-vjeçar si edhe një 56-vjeçar.

“Këta shtetas në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re, kanë organizuar e zhvilluar një tubim të paligjshëm dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor në të dyja drejtimet e rrugës “Tedor Keko”, njofton policia.

Policia shprehet se po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, pjesëmarrës në bllokimin e rrugës në zonën e Unazës së Re. Arrestimet e mbrëmshme u bënë pasi banorët e Unazës së re, bllokuan rrugë dhe hodhën parulla antiqeveritare.

Si deri me tani, ne mbështetje te banoreve kane qene eksponentë të opozitës. Në një reagim përmes një deklarate Partia Demokratike thotë se Policia e Shtetit po ushtron terror ndaj banorëve të Unazës së Re, medias dhe përfaqësuesve politike të opozitës, me urdhër politik të Edi Ramës./abcnews.al